Gramoz Ruçi: “Shikoni këtu kemi dy karta identiteti fallco. Shikoni këtë zotërinë tjetër më tre.”

Vetëm pak ditë përpara deklaratës së Gramoz Ruçit në sallën e parlamentit,  Ministria e Brendshme depoziton në prokurorinë e Tiranës një kallëzim penal me objekt, ‘kallëzim për veprën penale të falsifikimit të letër njoftimeve dhe të përhapjes së informatave të rreme që ngjallin panik’.

Vetë zv/Ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, në një konferencë shtypi deklaroi faktet që e çuan ministrinë në këtë veprim.

Ferdinand Poni: “Ministria e Brendshme e Republikës së Shqipërisë ka depozituar kallëzimin penal. Kallëzim për veprat penale për falsifikimin të letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave dhe të përhapjes së informatave të rreme që ngjallin panik. Ministria e Brendshme në cilësinë e autoritetit mbikëqyrës të kontratës koncesionare prodhimi dhe shpërndarja e letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike është tepër e interesuar që të zbardhet tërësisht e vërteta dhe deklarimeve publike të vihen në dispozicion të prokurorisë dokumentet e paraqitura në seancë plenare nga deklaruesit, të sqarohet se pse dhe në ç’mënyrë i disponojnë këto dokumente, si kanë marrë dijeni për këto informacione të tjera pyetje, që vërtet do të mund të sqarojnë çështjen por dhe do të … këtë projekt madhor për Shqipërinë nga ndërhyrje, në mos më madhore, që mund të synonin solidaritetin e tij apo që më keq që synojnë apo mund të cenonin imazhin pa asnjë bazë të procesit.”

Poni deklaroi se Ministria e Brendshme shpreh bindjen e plotë mbi  pamundësinë e falsifikimit të dokumenteve origjinale të prodhuara nga firma koncesionare, sipas standardeve më të mira të Bashkimit Evropian.

Sipas tij procesi i prodhimit dhe shpërndarjes së dokumenteve të identitetit është provuar të jetë një sistem solid që mëshiron teknologjinë e fjalës së fundit në fushën e identifikimit dhe procedurat strikte të mirë përcaktuara për aplikimin dhe shpërndarjen e letërnjoftimit elektronik dhe pasaportës biometrike.

Ferdinand Poni: “Duke qenë se evidentohen apo ravijëzohen  mjaft qartë elementët e veprës penale, Ministria e Brendshme shpreh shqetësimin për veprimet e konstatuara dhe është e mendimit se prokuroria e rrethit gjyqësor Tiranë ndodhet në kushtet e fillimit të çështjes penale.”/tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani