Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Në vendin tonë gjatë vitit të kaluar është rritur numri i veprave penale të kryera, si dhe shqyrtimi i tyre në gjykatë. Ministria e Drejtësisë publikoi së fundmi statistikat për çështjet penale dhe ato civile, që janë dërguar për gjykim gjatë vitit të kaluar dhe prej disa prej tyre ka bërë edhe krahasimin për vitin 2001.
Më shumë se 4800 çështje penale u janë dërguar gjykatave dhe rreth 1300 të tjera janë për kundra-vajtje penale gjatë vitit të kaluar. Duke iu referuar shifrave të vitit 2001, ka një rritje të krimeve të paktën me 200 të tillë. Një javë më parë, Ministria e Rendit Publik deklaroi, se numri i krimeve ka vazhduar të rritet edhe sivjet, ndërkohë që ka veçuar se Shqipëria ka numrin më të madh të vrasjeve për dendësi popullsie, në rajonin e Europës Juglindore, për vitin e kaluar.
Pjesa më e madhe e të pandehurve janë ndëshkuar me dënim me burg, për veprat penale dhe gjoba për kundra-vajtjet. Vetëm për vrasje janë gjykuar 315 dosje dhe 66 për plagosje dhe rrahje. Ministria e Drejtësisë ka publikuar dhe shifrat për krimet kundër pasurisë, kundër rendit dhe sigurisë. Bie në sy, se vepra penale të gjykuara gjatë vitit të kaluar si shkelje e barazisë në tender dhe dhënie mite nuk janë gjykuar më parë, ndërsa ai për shpërdorim detyre ka shënuar një rritje thuajse dyfish me vitin 2001./tvklan.al