Shërbimi i urgjencës në të gjithë vendin do të reformohet, jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në perfeksionimin e stafit mjekësor.

Kjo deklarohet nga Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, gjatë kursit të trajnimit për mjekët e urgjencës.

Gjithashtu ministrja deklaroi se për të patur specialistë në sektorin e urgjencave do të hapet edhe një kurs në Fakultetin e Mjekësisë.

Anila Godo: “Në hartimet tona kryesore për reformimin e këtij sektori ne jemi duke lëvizur në tre shtigje, në tre orientime kryesore të përmirësojmë infrastrukturën e të gjithë sektorëve të urgjencave. Është të pajisim të gjithë këto sektorë me pajisjet e nevojshme për një funksionim normal. Ngritja dhe perfeksionimi i kapaciteteve profesionale në mënyrë që të realizojnë një shërbim me një standard të lartë të këtyre sektorëve. Përsa i takon ngritjes së kapaciteteve njerëzore brenda muajit Shtator do të hapet për herë të parë në vend specializimi 4-vjeçar për përgatitjen e mjekëve, profesionistëve të cilët do të ushtrojnë profesionin…”.

Përsa i përket përmirësimit të infrastrukturës në shërbimet e urgjencës, sipas Ministres së Shëndetësisë  do të realizohet me anë të financimit nga koperacioni italian, si dhe nga një projekt i qeverisë japoneze.

Ndërkaq ministrja falënderoi palën italiane për kursin e trajnimit që po realizohet në bashkëpunim me ministrinë që ajo drejton për trajnimin e 50 mjekëve të urgjencës./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami