Përdorimi i drogave në Shqipëri mbetet një fenomen shqetësues.
Shifrat e përdoruesve të narkotikëve kanë pësuar rritje dhe aktualisht numërohen 40 mijë të tillë, por problemi aktual duket tendenca në rritje për përdorimin e drogave sintetike, si amfetamina apo ekstazia, të cilat prodhohen edhe përmes medikamenteve të ndryshme.
Ka qenë pikërisht shqetësimi mbi rritjen e përdoruesve të drogës ai që ka mbledhur në një tryezë të përbashkët, të iniciuar nga Ministria e Shëndetësisë, përfaqësues të disa dikastereve, si dhe të disa shoqatave joqeveritare.
Anila Godo: “Aktualisht numri i përdoruesve të drogës në Shqipëri ka kapur shifrën afro 40 mijë. Vëzhgimet dhe studimet e fundit konstatojnë një rritje të preferencave për substanca sintetike. Këtu duhet theksuar rritja e vëmendjes sonë lidhur me prekusorët e këtyre substancave si efedrina, pseudoefedrina, e të tjerë, të cilat janë substanca medikamentoze legale dhe që në kushtet e një teknologjie laboratorike primitive artizanale mund të modifikohen dhe të përfitojnë substancat në fjalë.”
Pjesëmarrëse në këtë takim, zonja Liri Berisha, presidente e shoqatës “Fëmijët shqiptarë” e cilësoi përdorimin e drogave nga të rinjtë si një prej fenomeneve më shqetësuese të shoqërisë shqiptare.
Për parandalimin e tij si dhe për të dhënë ndihmën personave që kanë krijuar vartësi nga drogat, Ministria e Shëndetësisë ka parashikuar ngritjen e një qendre rezidenciale./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami