Kriza në Kosove nuk është vetëm një problem Ballkanik por me përmasa të rrezikshme për stabilitetin Europian”. Kështu ka deklaruar Ministrja e Jashtme Bullgare Nadezha Mihajllova në takimin me Ministrin e Jashtëm Paskal Milo. Lufta ndaj trafiqeve ilegale të armëve, drogës, parave të pista dhe parandalimi i kriminalitetit mes dy vendeve ishin në qendër të bisedimeve.

Mihajllova mbështeti nismën ballkanike në mbështetje të raundit të dytë të bisedimeve për Kosovën në Rambuje. Pas takimit u nënshkruan marrëveshjet për bashkëpunimin në politikën e jashtme dhe në transportin mes dy vendeve. Në takimin me Kryeparlamentarin Gjinushi, Mihajllova vlerësoi nivelin e legjislacionit të hartuar nga Parlamenti Shqiptar në përputhje me Kushtetutën e Re.

Gjinushi u ndal në arritjen e një dialogu të përhershëm politik mes vendeve ballkanike. Shqiptarët e Kosovës kanë të drejtë të vendosin vetë për fatin e tyre tha Gjinushi. NATO duhet të jetë e pranishme në Kosovë. Kryeministri Majko ka përsëritur qëndrimin e Qeverisë Shqiptare për Kosovën në takimin me Mihajllovën.

Qeveria Shqiptare shpreson që shqiptarët e Kosovës të nënshkruajnë marrëveshjen e Rambujesë, ka deklaruar Majko. Mihajllova theksoi se situata në Kosovë ndikon në stabilitetin e Ballkanit ndaj jo vetëm duhen ndaluar luftimet por të përcaktohet qartë e ardhmja e Kosovës./tvklan.al

Gazetar : Vladimir Lame