Ministrja e Shëndetësisë Anila Godo është takuar me presidentin e Shoqatës Botërore të Mjekësisë, Johns Nedal dhe sekretarin e përgjithshëm të kësaj shoqate. Edukimi i vazhdueshëm mjekësor dhe kujdesi shëndetësor për të gjithë mjekët e botës ka qenë dhe pika mbi të cilën kanë diskutuar të dyja palët.
Ndërkaq ministria e shëndetësisë vuri theksin tek rëndësia e Urdhrit të Mjekut për t’iu afruar standardeve ndërkombëtare. Shqipëria pritet të jetë anëtarja më e re e shoqatës botërore të mjekësisë. Kërkesa e Urdhrit të Mjekut për të qenë pjesë e kësaj organizate pritet të miratohet në mbledhjen e asamblesë së përgjithshme, që do të zhvillohet në mes të tetorit në Seul.
Presidenti i Shoqatës Botërore të Mjekësisë dhe sekretari i saj zhvilluan një takim edhe me përfaqësues të Urdhrit të Mjekut dhe përfaqësues të këshillave rajonal.
Ata diskutuan për domosdoshmërinë e edukimit të vazhdueshëm të mjekëve dhe vetë rregullimin profesional të tyre.
Ndërkaq presidenti i Urdhrit të Mjekut në një prononcim për mediat, vlerësoi reformat e ndërmarra në shëndetësi nga ministrja Godo. Veçanërisht nismën për kthimin e specialistëve në rrethe ku ka mungesa.
Dine Abazaj: “Në shumë zona të vendit tonë në periferi shërbimet mjekësore janë boshatisur nga mjekët. Jo vetëm nga specialistët që janë boshatisur, por janë boshatisur edhe nga mjekë të shërbimit, mjekë të familjes dhe mjekë të përgjithshëm. Në disa zona janë mbyllur sallat e operacionit se mungon ose reanimatori ose mungon kirurgu, por në përgjithësi mungojnë reanimatorët. Në Tepelenë për shembull sallë e mirë me të gjitha pajisjet, nuk funksiononte salla e operacionit sepse nuk kishte reanimator.”
Reformat e propozuara nga MSH synojë përmirësimin e sistemit shëndetësor në vend. Deh vënien në funksion të plotë të spitaleve në rrethe./tvklan.alGazetare: Brunilda Cami