Në mbrojtje të qytetarëve, shëndetit të tyre si dhe për të siguruar një mjedis sa më të shëndetshëm. Pritet të vij në ndihmë ligji i ri i hartuar nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Draftligji i shëndetit publik synon të vendos disa masa që duhet të marrë shteti për të siguruar shëndetin e popullatës.
Gazment Bejtja: “Të gjithë popullata të varfër apo të pasur, pavarësisht nga gjendja sociale-ekonomike të kenë mundësi të marrin shërbimet bazë. Janë disa masa të organizuara që merren nga shteti në mënyrë që ne të jetojmë në një ambient të sigurt, pra mjedisi të jetë i pastër, mbrojtja nga substancat e ndryshme të dëmshme, alkoli, droga, duhani, çështja e ushqimit të sigurt që duhet të marri çdo person, çështje që kanë të bëjnë me depistimin e hershëm të shumë sëmundjeve, çështje që kanë të bëjnë me sigurimin që gratë shtatzëna të ndiqen siç duhet pavarësisht nëse kanë apo s’kanë mundësi të paguajnë”.
Nëpërmjet këtij ligji parashikohet të forcohen edhe kontrollet në pikat kufitare në mënyrë që të sigurohet mbrojtje për të mos lejuar kalimin e sëmundjeve nga njëri vend në tjetrin. Draftligji i sapo prezantuar pritet të kalohet për diskutim në Komisionin e shëndetësisë./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami
Operator: Petrit xhaferri