Në kohën kur bota u trondit nga frika e prekjes nga pandemia e gripit AH1N1 Shqipëria arriti të ketë gati një plan-veprimi dhe ta mirëmenaxhoj atë. Kështu është shprehur ministria e shëndetësisë Anila Godo gjatë konferencës ndërkombëtare mbi sëmundjet infektive dhe globalizmi.
Anila Godo: “Është mjaft e rëndësishme që jo ne të dimë se si do ta trajtojmë një situatë të tillë epidemiologjike në drejtimin terapeutik ose në drejtimin preventiv. Pra flasim vaksinë, flasim për tamiflunë, por është e rëndësishme që të mos humbasim toruan, të jemi gati me një strategji me një plan veprimi sikundër ishim gati dhe askush nga ne nuk u hutua. Menjëherë pranë ministrisë së shëndetësisë ne mblodhëm komitetin e pandemisë, të cilët erdhën me një strategji gati të cilën ne vetëm duhet ta përshtatnim. Nëse ne arritëm të krijojmë në menaxhimin e kësaj pandemie një standard evropian dhe botëror, do të thotë bëmë atë që duhet.”
Në situatën aktuale, specialistët shprehen se duhet forcuar sistemi i survejancës në të gjithë botën.
Silva Bino: “Të gjitha vendet natyrisht në këtë moment, në zbatim të rregullores ndërkombëtare të shëndetit janë të detyruara. Ky është një detyrim ligjor ndërkombëtar që të forcojnë të gjitha sistemet e tyre të diagnozës së kapjes së hershme të sëmundjeve, të survejancës dhe të kontrollit të sëmundjeve infektive, por dhe të të gjithë atyre rreziqeve të cilat janë të rëndësishme nga pikëpamja ndërkombëtare.”
Po ashtu pjesë e diskutimit kanë qenë edhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme, për të cilat specialistët kanë dhënë alarmin se të rinjtë kanë sjellje jo të sigurta seksuale, duke rrezikuar përhapjen e sëmundjeve infektive, një pjesë e të cilave nuk mund të zhduken plotësisht./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami