Fidel Ylli: Kreu i FSHF-së po i bën shantazh qeverisë
Deputeti socialist Fidel Ylli, i deleguari i qeverisë për të negociuar me Ligën Profesioniste të futbollit, akuzoi drejtpërdrejt Presidentin e Federatës Armand Duka se po i bën shantazh qeverisë, duke u fshehur pas Ligës së futbollit.
Fidel Ylli: Liga ku e ka selinë? Liga sa e ka buxhetin? Arbitrat e Federatës së Futbollit kush i cakton? Politikat e zhvillimit të sportit të futbollit kush i përcakton? Duhet të dali hapur presidenti i Federatës bashkë me atë grup që kanë inicuar. Të bësh presion qeverisë nuk është normale.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, ministrja e Financave Anila Denaj tha se dy prej kërkësave të Ligës së futbollit janë të papranueshme. Një prej tyre është zbritja nga tatim-fitimi për sponsorizimet dhe përjashtimin e të ardhurave të futbollistëve nga tatim-fitimi deri në 10 vjet.
Denaj: Kemi nevojë për të formalizuar të gjithë ekonominë, i kemi dhënë edhe futbollit 2 vjet, nuk mund ta çojmë 10 vjet. TVSH-në 6% po e kemi bërë për atë që është logjike që është ndërtimi i ambienteve.
Ministrja Denaj sqaroi dy pikat se ku qeveria është e gatshme të negociojë me Ligën e Futbollit.
Denaj: Kamatvonesat nëqoftëse do i diskutojmë eja të negociojmë. Kemi bërë këtë vit ndryshime në ligjin e të ardhurave. Nëqoftëse brenda kësaj skeme ka element për të ndryshuar e përmirësuar eja të flasim, por nuk mund të shkojmë nga skema tek një mënyrë radikale e marrjes, futjes dorë në buxhetin e shtetit.
Liga Profesioniste e futbollit tha, nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm Dritan Kadia, se kërkohet takim vetëm me kryeministrin për të diskutuar kërkesat e tyre.
Tv Klan