Opozita braktisi punimet e Komisionit Parlamentar të Ligjeve ku do të diskutohen dhe votohen nen për nen projektligji i ofruar prej tyre për disa ndryshime në ligjin për komisionet hetimore, si dhe amendamentet e ofruara për këtë projektligj nga disa deputet të mazhorancës.

Kjo erdhi pasi deputeti socialist Fatmir Xhafaj kërkoi diskutimin që në fillim të mbledhjes të komisionit të nenit 4 të projektligjit me pretendimin se pikërisht ky nen i cili flet në pikën 3 të tij dhe për hapjen e kutive të votimit përbën thelbin e qëndrimit opozitar.

Fatmir Xhafaj:“Nuk ka absolutisht pse të bëjmë  hipokrizi edhe ju edhe ne. Theksuam edhe dje që thelbësore për ne është neni 4 i iniciativës sonë. Duke theksuar gjithashtu që kjo është thelbësore por jo e panegociueshme. Duke lënë mundësinë që nëse mund të gjendet një zgjidhje  brenda hapësirës për t’i konsideruar, për ta konsideruara hapjen e kutive zgjedhore një provë të rëndësishëm për hetimin parlamentar. Për fat të keq kjo që shikojmë ne këtu, amendamenet që ju keni bërë e zhvesh iniciativën tonë në thelbin e saj.”

Një pretendim që u hodh poshtë nga kryetari i komisionit Ilir Rusmali, i cili citoi procedurën parlamentare të miratimit të një iniciative ligjore.

Ilri Rusmali: “Shqyrtimi nen për nen kërkon shqyrtimin nen për nen, jo shqyrtimin selektiv. Kështu që unë besoj që sigurisht që ne do debatojmë shumë, jam i sigurt rreth nenit 4 rreth përmbajtjes së tij dhe rreth amendamenteve  në të por do debatojmë në momentin që do i vij radha. Në qoftë se nuk ka zgjidhje për momentin dhe kjo thotë nuk ka zgjidhje për momentin. Nuk konsiderohet hapja e kutive zgjedhore një opsion rreth të cilit mund të diskutohet për ato pjesë të hetimit parlamentar, ne nuk kemi pse marrim pjesë në këtë diskutim fatkeqësisht  ky komision vullnetin e tij e shpreh në fund nëpërmjet votës në fund të shqyrtimit të çdo neni kur voton. Këtu ka nismë për projektligjin, këtu ka nismë për amendamentet. Unë nuk mundtë prish procedurën e komisonit dhe të kaloj me selektim në diskutime të veçanta.”

Kjo ishte e mjaftueshme për deputetët e opozitës të largohen nga punimet e komisionit. Fatmir Xhafaj e akuzoi mazhorancën për mungesë vullneti politik për t’i dhënë zgjidhje situatës.

Fatmir Xhafaj :“ Një iniciativë ligjore është e vërtetë. Ka në përbërësit e vetë disa nene. Por ka, iniciativa duhet shikuar në frymën e sja në thelbin e saj. Nëse bie fryma bie thelbi. Nuk kanë kuptim nenet dhe dispozitat e tjera. Kriza nuk është një krizë juridike është një krizë politike. Zgjidhja e saj mund të vije vetëm nëse ekziston vullneti politik i lidershipit politik të partisë.”

Argumentet që u hodhën poshtë nga deputeti demokrat Eduard Halimi.

Eduard Halimi: “Gjithë shqiptarët e kuptojnë se nuk mund të diskutojmë nenin 4 kaluar nenin 1. Dhe neni 1 dhe neni2 bën fjalë as më shumë e as më pak vetëm për citimet që ka bërë Gjykata Kushtetuese.”

Ilir Rusmali: “ Radhët bosh në këtë tavolinë tregojnë që ata që nuk duan kompromisin dhe zgjidhjen nuk mund të jenë prezent në tavolinat e kompromiseve. “

Edi Paloka: “Që ditën e parë kanë ardhur në komision jo me idenë apo me qëllimin dhe vullnetin për të zgjidhur këtë problem. Po kanë ardhur të bindur që janë duke kërkuar  diçka që ne nuk mund ta pranojmë, përderisa është antikushtetuese, antiligjore. Dhe kanë ardhur me të vetmin qëllim që ne t’ju themi kjo nuk bëhet dhe ata të vazhdojnë bojkotin.”

Enkelejd Alibeaj:“Për mua sjellja e tyre ishte një ultimatum ose një demostrim force. Të braktisësh komisonin e ligjeve për një projektligj është demonstrim force.”

Edhe pas largimit të opozitës punimet në komision vijuan me rendin e ditës. Duke i paraprirë diskutimit të amendamentit të ofruar nga mazhoranca për  nenin 1 të projektligjit të socialistëve, Rusmali tha se kjo ishte arsyeja e vërtetë e braktisjes së punimeve të komisionit prej opozitës.

Ilir Rusmali: “Ky kusht absurd vjen për shkak se amendamenti i paraqitur nga kolegët e Partisë Demokratike  është amendamenti që konfirmon parimin e ndarjes së pushteteve. Parim të cilin kryetari i Partisë Socialiste  refuzon ta njohë . Ky është problem që kanë kolegët socialist. Nuk mund të votojnë pro një parimi të sanksionuar ne Kushtetutën e vendit të tyre. Nuk mund të bëhet sakrifica për hir  të qënies së tyre  këtu duke hequr themelin mbi të cilin ngrihet gjithë shteti.”

Amendamenti i votuar në shumicën e mazhoranca  flet për sanksionimin e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve në veprimtarinë e komisioneve hetimore. Këto të fundit nuk mund të keë object dhe nuk mund të hetojnë çështjet e gjykuara nga gjykatat e vendit. Apo të hetojnë fakte për të cilat është regjistruar kallëzim penal në prokurori ose kur ato janë në shqyrtim gjyqësor.

Amendamenti i dytë i mazhorancës edhe ky i votuar me shumicë rrëzoi neni 2 të projektligjit të socialistëve i cili kërkoi të vendosë kufizime në mënyrën e ngritjes dhe funksionimit të Komisioneve Hetimore.  Madje duke kërkuar zgjatjen deri në 2 vjet të veprimtarisë së tyre.

Mazhoranca miratoi amendamentin ku thuhet se Kuvendi mund të vendosë për ngritjen e Komisionit Hetimor për të hetuar zbatimin e kodit zgjedhor dhe se ky komision e zhvillon veprimtarinë për një periudhë jo më të gjatë se 3 muaj.

Po kështu u miratua amendamenti nëpërmjet të cilit mazhoranca kërkon që objekti i hetimit të jetë i argumentuar që të përmbajë fakte që tregojnë qartë se çfarë po hetohet. Miratimi i tij rrëzoi nenin 3 të projektligjit të socialistëve.

Demokratët rrëzuan dhe nenin 4 të shumëdebatuar të projektligjit të socialistëve  lidhur me amendamentin 5 të propozuar prej tyre.  Deputeti demokrat Eduard Halimi një prej afirmëtarëve të amendamenteve  tha se kjo ndjek logjikën e parimit të ndarjes së pushteteve.

Eduard Halimi : “Neni 4 nuk mund të qëndrojë me nenin 1. Neni 4 nuk mund të flejë bashkë me nenin 1. Neni 1 që ne përcaktuam parimin kryesor, parimin kushtetues, për ndarjen dhe balancimin e pushteteve nuk mund të rrijë bashkë me nenin 4 që ata kanë paraqitur.”

Edi Paloka: “Është pikërisht kjo pikë për të cilën socialistët që ditën e parë na thanë duhet ta zgjidhim politikisht sepse ishin shumë të qartë vet që ligjërisht nuk kishin asnjë të drejtë. Është që në fillim neni që ne kemi deklaruar është antikushtetues sepse bie ndesh me Kushtetutën me vendimet e Gjykatës Kushtetuese që nuk lejojnë që një komision hetimor parlamentar vendimet e një Gjykatë pra të një institucioni të pavarur.”

Tashmë propozimet e socialistëve bashkëngjitur me amendamentet e mazhorancës pritet të diskutohen në séancën e datës 18 Mars në Kuvend, por mazhoranca nuk e përjashtoi edhe diskutimin e këtyre argumentave në komisionin e ligjeve përpara seancës të pritshme plenare në përpjekje për të zgjidhur situatën politike./tvklan.al

Gazetare: Menata Zaimi