Parlamenti i ri i Maqedonisë ka miratuar të premten me 75 vota vetëm të mazhorancës, ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe. Opozita nuk ishte e pranishme pasi prej ditësh ajo ka bojkotuar Kuvendin për shkak të arrestimit të nënkryetarit të LSDM-së.

Ligji i ri lejon përdorimin e gjuhës shqipe në nivele të ndryshme institucionale dhe në pushtetin lokal. Sipas partisë e cila udhëheq koalicionin qeverisës VRMNO-DPMNE, miratimi i ligjit është kryer në përputhje të plotë me kushtetutën dhe marrëveshjen e Ohrit, e cila përcakton se gjuha shqipe është zyrtare në të gjitha zonat ku banojnë më shumë se 20% shqiptarë.

Në fakt në tekstin e ligjit shqipja nuk është gjuhë zyrtare në Maqedoni, por përdorimi i saj do të jetë i gjerë. Me këtë rast është ndryshuar dhe rregullorja e parlamentit. E cila u mundëson komisioneve parlamentare të drejtuar nga shqiptarët të flasin në gjuhën e tyre amtare.

Po kështu ligjet dhe materialet do tu ofrohen në gjuhën shqipe. Ndërsa në njësinë e vetë administrimit lokal, shqiptarët nga njësitë rajonale të ministrive mund të marrin përgjigjen në gjuhën e tyre amtare krahas gjuhës maqedonase.

Në seancat parlamentare dhe nëse drejtohen nga kryetar apo nënkryetar shqiptar nuk do të flitet në gjuhën shqipe. Madje as ministrat nuk do të mund të flasin në këtë gjuhë, apo komandat e policisë së ushtrisë nuk do të mund të jepen në shqip pasi e kanë të ndaluar.

Miratimi i ligjit plotëson një pjesë të marrëveshjes VRMNO-DPMNE dhe BDI për zyrtarizmin e gjuhës shqipe./tvklan.al

Gazetare: Justina Ukaliaj