Lideri i VMRO-DMPNE dhe i mandatuari për formimin e qeverisë së re maqedonase Nikola Gruevski u takua pasditen e së hënës me kryetarët e dy partive shqiptare, Menduh Thaçin dhe Ali Ahmetin.

Në fillim Gruevski është takuar me liderin e PDSH-së Thaçin, me të cilin mësohet se janë pajtuar  për një sërë çështjesh si  integrimi euroatlantik i Maqedonisë dhe emri.

Në një deklaratë për mediat Thaçi i cili ka kundërshtuar rezultatet e rivotimit të 15 qershorit, tha se është shumë herët për të vlerësuar nëse partia e tij do të jetë në qeverinë e re, por shtoi se përsa i përket çështjes së emrit, PDSH nuk do të pranojë asnjë propozim që do të ndikojë në ndryshimin e identitetit të një kombi.

Ndërkaq nuk janë dhënë detaje mbi dinamikën e takimit të Gruevskit me fituesin e partive shqiptare në zgjedhjet parlamentare, BDI. Por kreu i kësaj partie Ali Ahmeti ka deklaruar për mediat se Gruevski nuk do të guxojë të përsëris gabimin e vitit 2006, për mos përfshirjen e partisë më të madhe shqiptare BDI në koalicionin qeveritar. Nikola Gruevski ka 20 ditë afat të propozojë përbërjen e re të qeverisë dhe ta dorëzojë atë për votim në parlament./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle