Edi Rama: “Pse presioni shtetëror mbi zgjedhësit ka arritur kulmin si kurrë më parë? Pse njerëzit e opozitës janë flakur dhe flaken përditë në rrugë nga puna?”
Duke dëgjuar këtë deklarim të kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, të bërë dje gjatë protestës askush nuk pret që të jetë vetë ai në fakt që po shkel; me të dyja këmbët ligjin.
Ndonëse gjatë këtyre muajve ka shkelur pak ose aspak në bashki Edi Rama e ka vënë këtë të fundit në shërbim të selisë së partisë së tij. Dje ishte radha e bandës frymore dhe jo vetëm.
Manifestimi i opozitës i ngjante festave të organizuara nga bashkia e kryeqytetit që dirigjojnë ato çfarë thotë kryetari.
Pjesëmarrja nuk kish se si të ish e rastësishme, as ndonjë nevojë e muzikantëve për të parë nga afër protestën, por thjesht dhe vetëm një urdhër nën presionin e kreut të saj. Këtë fakt e dëshmojnë dhe qytetarët.
Ata që pjesëmarrjen në protestë e panë si mundësinë e vetme për të shpëtuar vendin e punës. Këta qytetarë tregojnë si janë detyruar nën kërcënim të vijnë në protestë.
“Marrin njerëz me zor i hedhin në autobus i çojnë për në Tiranë ose i bëjnë presin që do të heqin nga puna. Ku do ta çojë popullin, do ta çojë drejt 97 prapë, se kështu i bie.”
“Po qe se nuk do merrni pjesë do të heqim nga puna. Dje ishte një rast i veçantë psh, që po qe se nuk do të merrnim pjesë në këtë protestë do më hiqnin nga puna.”
“Po i kanë marrë dhe i kanë çuar me zor në protestë në Tiranë edhe kanë ikur disa njerëz. Më shumë se 2-3 autobusë kanë ikur.”
Të gjithë e panë se sheshi i mbush nga autobusë të ardhur pothuaj nga gjithë rrethet e vendit, por me gjithë kërcënimet e kryetarit asgjë nuk mundi të fshihte pjesëmarrjen e ulët në protestë, madje as pamjet e manipuluara që ofroi dje si miting proteste selia rozë./tvklan.al