Për të 7 ditë me radhë, çdo mëngjes Agim Vitaku dhe fqinjët e tij përballen me kordone policore.
Forcat e rendit po i ndalojnë ato të shkojnë t’i rindërtojnë shtëpitë e tyre të shkatërruara gjatë luftës në kroin e Vitakut.
Agim Vitaku: “Skam me shku unë kërkund prej tokës teme, nuk lëvizi hiç, që 10 ditë po pres, 10 vjet po pres”.
Edhe sqarimet që u japin policëve nuk u bëjnë punë, e për të dëshmuar se është pronari i shtëpisë, Agim Vitaku, të hënën i prezantoi edhe shefit të UNMIKU-t tapitë e vjetra 200 vjeçare të pronës së tij.
Ai u pa me Lamberto Zannierin, kur ky po bisedonte me Bajram Rexhepin. Pas këtij takimi, italiani pranoi se shqiptarët kanë të drejtë të kthehen në pronat e tyre te kroi i Vitakut.
Lamberto Zannier: “Duhet të bisedojmë me të gjithë faktorët relevant për t’u siguruar se kthimi në shtëpi të bëhet në kushte të cilat nuk rrezikohet siguria e pronarëve të shtëpive”.
Ishte pikërisht administrata të cilin e udhëheq Zannieri, që kërkoi nga policia që të mos lejoheshin shqiptarët të punojnë. Bajram Rexhepi fajësojë UNMIK-un në veri për krejt çfarë po ndodh.
Bajram Rexhepi: “Kam bindjen se zoti Zannieri nuk ka qenë i informuar komplet edhe gjithherë drejt edhe nga zyrtarët e vet në Mitrovicë edhe mendoj se kundërshtimet më së tepërmi kanë qenë me zyrtarët që janë në Mitrovicë me disa prej tyre”.
Pavarësisht se nuk e kupton gjuhën angleze, në të cilën Rexhepi e Zannieri komunikuan gjatë takimit, Agim Vitaku është optimist se pas kësaj bisede do të fillojë ta rindërtojë shtëpinë.
Agim Vitaku: “Me siguri më optimist jemi tash, me siguri çdo gjë ka lëviz prej vendit vet edhe besoj që ka me u bo mirë”.
Rexhepi dhe Zannieri u pajtuan se për pastrim dhe rindërtim të shtëpive nuk duhet leje speciale siç kërkoi UNMIKU deri tashti, por a do të ndodh ashtu siç dëshirojnë shqiptarët e kroit të Vitakut, mbetet të shihet./tvklan.al