Mbledhja e Këshillit të Sigurimit në OKB ku ka raportuar Kreu i UNMIK Lamberto Zannier dhe ministrat e jashtëm të Kosovës e Serbisë, është shoqëruar me deklarata të forta. Shefi i misionit të OKB-së në Kosovë Zannieri vuri në dukje se dialogu i mundësuar nga UNMIK mes shqiptarëve serbëve të Kosovës është vështirësuar për shkak të bojkotit institucional të serbëve dhe krijimit të strukturave paralele nga ana e tyre.
Lamberto Zannier: “Për sa kohë unë dhe ekipi im vëzhgojmë punën e autoriteteve të Kosovës dhe ndërmjetësojmë për të lehtësuar mosmarrëveshjet mes bashkësive. Fuqia ime për të imponuar zgjidhjen në pjesën më të madhe të territorit në praktikë është zhdukur”.
Ndërsa Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremic, rishprehu dhe njëherë qëndrimin e Serbisë në lidhje me rikonfigurimin e UNMIK duke u mbështetur dhe nga përfaqësuesi rus.
Vuk Jeremiç: “Serbia nuk mund ta pranojë që rikonfigurimi i UNMIK të kryhet, veçanërisht pasi ai nuk ka marrë pëlqimin e këshillit të sigurimit”.
Pavarësisht kundërshtimeve të Serbisë dhe Rusisë në këtë mbledhje, Ministri i Jashtëm kosovar Skënder Hyseni, shprehu gatishmërinë e qeverisë së tij për të kryer procesin e rikonfigurimit të parashikuar nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon.
Skënder Hyseni: “Ne do të punojmë fort me Sekretarin e Përgjithshëm dhe të dërguarin e tij special Zannier në mënyrë që ky proces të kryhet sa më shpejt”.
Ndërkaq ministri britanik dhe amerikan kanë mbështetur procesin e rikonfigurimit të UNMIK, duke e pranuar vështirësitë që po hasen më së shumti në veri të Kosovës përfshirë këtu aktet e dhunës, kërcënimet apo trafikun./tvklan.al
Gazetare: Justina Ukaliaj
Montazh: Vilma Halilaj