“Heqja e testimit për specializantët nuk i ka joshur mjekët e rinj për të zgjedhur mjekësinë e urgjencës. Të dhënat nga Universiteti i Mjekësisë tregojnë se sërish këto kuota janë të paplotësuara në masën 98%, ku vetëm 2 studentë kanë pranuar të zgjedhin specializimin për mjekësi urgjence”, raporton gazetarja Erikleda Dorezi.
Në fazën e parë të aplikimeve u hapën 15 kuota për këtë fushë, por mjekët e rinj e refuzuan sërish. Kjo ka bërë që Universiteti i Mjekësisë të hapë një fazë të dytë pranimesh për të gjithë studnetët që duan të specializohen në këtë degë.
I përkufizuar si një ndër degët më të vështira në shëndetësi, pothuajse 5 vitet e fundit, mjekësia e urgjencës është refuzuar totalisht duke rrezikuar një vakancë të theksuar në këtë pozicion.
Të gjithë ata mjekë të rinj të cilët do të zgjedhin të specializohen në këtë nuk do i nënshtrohen testimit të specializimit, si dhe do të paguhen me 80 % të pagës së mjekut dhe një tarifë plotësuese si mjekë roje.
“E kundërta ka ndodhur për degën mjekësi familje, ku duket se këtë vit kemi një interes në rritje të studentëve për të zgjedhur këtë degë, por sërish është hapur faza e pranimeve për të patur një plotësim total të kuotave.”
Nga 30 kuota të miratuara, janë plotësuar 21 dhe kanë mbetur vetëm 9 kuota bosh. Sipas specializantëve, kjo ka ardhur jo vetëm nga rritja e pagave, por edhe rolin që pritet të marrë mjeku i familjes.
Sipas një projekti të Ministrisë së Shëndetësisë, mjekët e familjes do të fuqizohen duke kaluar në qendra të mjekësisë familjare, duke ulur numrin e referimeve në shërbimet sekondare, terciare dhe në shërbimet e urgjencës.
Këtë vit, Universiteti i Mjekësisë hoqi testimin për specializimet vetëm për degën e mjekësisë familjare dhe atë të urgjencës për të thithur sa më shumë studentë dhe për të plotësuar vakumin e krijuar ndër vite në këtë fushë.
Tv Klan