Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në seancën plenare, në prani të Kryeministrit Zaev dhe Ministrave, konstatoi se nuk është votuar mosbesimi i Qeverisë.
Para se të uronte Zaevin dhe ministrat në mesin e të cilëve nuk ishte ministri i Bujqësisë, Arjanit Hoxha nga Lëvizja Besa, u tha se nga nesër Qeveria vazhdon me funksion të plotë t`i kryejë detyrat dhe obligimet.
Pasi nuk siguruan kuorum nga 61 deputetë për ta rrëzuar Qeverinë, nga Kuvendi fillimisht u larguan dorëzuesit e nismës për mocionin e mosbesimit, deputetët e VMRO-DPMNE-së, e më pas edhe ata të shumicës qeverisëse.
“Duke marrë parasysh faktin se nga momenti i vendosjes së pyetjes për besimin e Qeverisë dorëzuar nga opozita me 61 deputetë, duhet të prononcohet Kuvendi për tri ditë, kurse dita e tretë në këtë moment është duke kaluar, gjatë kësaj rendi i ditës nuk është votuar dhe nuk mund të hapet debati për besimin e Qeverisë. Konstatoj se mosbesimi nuk është votuar”, tha kryeparlamentari Talat Xhaferi.
Xhaferi, paradite, pasi filloi seanca, braktisi sallën e Kuvendit që të mos i krijonte kuorum opozitës. Me seancën, që praktikisht as që filloi, por vetëm disa herë deputetët u grumbulluan dhe kërkuan pushim njëorësh, kryesoi zvKryeparlamentari, Fadil Zendeli nga Besa.
VMRO-DPMNE-ja së bashku me deputetët e Besës, ASH-së, Alternativës dhe së Majtës u përpoqën të sigurojnë 61 deputetë për të votuar mosbesimin e Qeverisë. Në seancë nuk erdhi deputeti i Besës, Kastriot Rexhepi, për çka opozita nuk pati kuorum për mbajtjen e seancës.
Pas më shumë se dhjetë orëve në Kuvend dhe disa përpjekjeve për të filluar seanca parlamentare, Grupi Parlamentar i VMRO-DPMNE-së u largua nga Kuvendi në orën 21:30. Deputeti dhe nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikoloski tha se “kjo ditë do të mbetet e shkruar në faqen e zezë të historisë maqedonase me çka u shkelën demokracia me rrëmbimin e deputetit”.
Ai tha se zgjidhja për këtë situatë janë zgjedhjet e shpejta të parakohshme parlamentare, kurse qëndrime më të detajuara partiake paralajmëroi për të premten, pas koordinimit në parti./KlanMacedonia