Gjykata e Catanias në Itali ka dënuar me 15 vite e 5 muaj burgim Moisi Habilajn, i akuzuar për trafik droge nga Shqipëria në Itali. Ai është cilësuar si kreu i grupit të Habilajve që trafikonte marijuanë nga brigjet e Vlorës drejt shtetit italian.
Moisi Habilaj, kushëriri i ish-ministrit Saimir Tahiri, qëndroi i heshtur kur dëgjoi vendimin e Gjykatës, raporton “Meridionews”, e cila përshkruan në detaje edhe veshjen e kreut të grupit; me pantallona xhins, këmishë dhe këpucë me ngjyra të ndezura.
Avokatët e tij mbrojtës, Giuseppe Ragazzo dhe Maria Caltabiano, thanë në seancë gjyqësore se Moisi Habilaj ka pasur rol të thjeshtë në këtë organizatë kriminale, atë të transportuesit. Dhe për këtë arsye, ata kërkonin që mbi Habilajn mos të rëndonte edhe akuza e kreut të grupit.
Ndërkohë, gjykata italiane dënoi me 7 vite e 4 muaj burgim Nazer Seitin, i cilësuar si financieri i bandës së Habilajve. Procesi ndaj tij u zhvillua me gjykim të shkurtuar. Seiti u arrestua fillimisht në Shqipëri dhe më pas u ekstradua në Itali. Kurse Meridian Sulaj, pjesë e këtij grupi, u dënua me 8.4 vite burgim.
Në kërkim ka mbetur Florian Habilaj, vëllai i Moisi Habilajt, që prejt Tetorit të vitit 2017 kur dhe u arrestuan anëtarët e kësaj organizate kriminale të trafikut të drogës. /tvklan.al