Akuzohet nga Shqipëria për trafik ndërkombëtar droge
Moisi Habilaj, i arratisur pak ditë më parë nga banesa e tij në Itali, ka kërkuar që procesi që po zhvillohet ndaj tij në vendin tonë të zhvillohet me gjykim të shkurtuar.
Këtë të mërkurë në Gjykatën e Posaçme u zhvillua seanca e radhës për grupin e Habiljave që akuzohen për trafik dhe kultivim të lëndëve narkotike dhe grup i strukturuar kriminal. Përmes avokatit të tij mbrojtës, Habilaj ka kërkuar qe procesi ndaj tij të zhvillohet me gjykim të shkurtuar.
Të njëjtën kërkesë kanë paraqitur edhe Nazer Seiti, Meridian Sula e Fatmir Minaj. Procesi ndaj Habilajve në Shqipëri është shoqëruar me zvarritje të herë pas hershme për shkak të mosnjoftimit të të pandehurve, të cilët ndodheshin të ndaluar dhe në gjykim në Itali. Seanca e radhës për grupin do të zhvillohet në 26 Janar në orën 14:00.
Moisi Habilaj prej disa ditësh është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga policia italiane sepse është arratisur nga banesa ku po qëndronte në arrest shtëpie. Kur policia shkoi për t’i komunikuar vendimin e Apelit të Katanias me 15 vite burg ai nuk u gjet më. Moisi Habilaj u dënua në Itali së bashku me Meridian Sulën, Nezar Seitin dhe 5 italianë, me akuzën e organizatës kriminale dhe trafikut të drogës.
Tv Klan