Shumë komuna në veri vazhdojnë të jenë të bllokuara dhe pa asnjë komunikim me pjesën tjetër të vendit. Pavarësisht pushimit të reshjeve të dëborës, situata mbetet problematike kryesisht në Malësinë e Madhe dhe në Pukë, gjë që ka detyruar drejtorinë e emergjencave të vazhdojë shpërndarjen e ndihmave.
Këtu jemi në komunën Melan të Peshkopisë, ku trashësia e dëborës e kalon 1 metër. Rreth 2 mijë banorë të fshatrave Rapdisht, Zagrad, Bellov dhe Cerian, po e kalojnë dimrin të izoluar dhe në kushte të vështira.
Në pamundësi për t’u lidhur me rrugën automobilistike me qytetin më të afërt Peshkopinë, banorëve u duhet të udhëtojnë 7 km në këmbë për të siguruar çka ju nevojitet.
Banori 1: “Rezervat e dimrit ne si llogaritëm se do na zeje dimri kaq fortë dhe kemi rënë poshtë për të marrë ndonjë ushqim dhe miell.”
Banori 2: “Si ka mundësi që të sëmuret fëmijë dhe do të shkojë në spital, nuk kemi një automjet që të çojmë fëmijën në spital, do vdesë fëmija në rrugë.”
Banori 3: “Sivjet na kapi dimri në flagrancë. Ne jemi në kushte me një patate edhe ajo patate ka ngel pa shitur, kushte më të këqija nuk ka ku të shkojë. Bukë për të ngrënë nuk kanë njerëzit.”
Banorët thonë se dëbora e ditëve të fundit ka vite që nuk ka rënë në këto përmasa. Çka shton rrezikun e ortekëve që janë të shpeshta në këtë zonë.
Banori 3: “Duhet të kujdesemi, se ortekët ka vështirësi se kanë marrë jetë njerëzish.”
Banori 4: “Ka ndodhur në vitin 85, domethënë tekstualisht ky viti i sivjetshëm.”
Por edhe pse për shumicën e banorëve vështirësitë janë nga më të ndryshme, për të apasionuarit e gjuetisë dimri i egër është një mundësi e mirë për zbuluar gjahun e ekspozuar nga moti i ftohtë dhe bardhësia e dëborës.
Pas zhbllokimit të akseve nacionale, borëpastrueset në shumë zona në veri të vendit vazhdojnë punën për lirimin e rrugëve rurale.
Pas punës edhe gjatë natës situata është normalizuar në rrugët që lidhin Kukësin-Krumën dhe Bajram Currin me pjesën tjetër të vendit.
Drejt zhbllokimit janë komunat Ujmisht, Bushtricë, Gryk e Çajës dhe Kalis në Kukës. Si dhe disa fshatra të Hasit dhe Tropojës. Më shumë vështirësi janë hasur në Grykën e Vanavem, ku për shkak të rënies së ortekëve, pastrimi i rrugës ka ecur me rimte të ngadalta.
Në rrethin e Shkodrës mbeten të bllokuara rrugët Bogë-Theth dhe Prekal Mali i Shoshit. Në Malësinë e Madhe nuk është hapur ende rruga Tamrë-Vermosh. Ndërsa në rrethin e Pukës rrugët nacionale Pukë-Fushë Arrëz dhe Qafë Mali-Kukës janë ta kalueshme vetëm me zinxhir.
Hedhja e skories dhe përmirësimi i motit pritet të normalizohet në orët në vijim edhe situatën në këto akse./tvklan.al