Policia e Shetetit ju ka bërë apel për më shumë kujdes përdoruesve të rrugës, si drejtuesve të automjeteve ashtu edhe këmbësorëve, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.
Policia në apelin e saj thotë se përdoruesit e rrugës duhet të rrisin vigjilencën sidomos kur janë duke drejtuar automjetet apo motomjetet në kushtet e errësirës ku pamja është e kufizuar.
Apeli i Policisë:
Nisur nga moti i keq me reshje të dendura shiu, Policia e Shtetit APELON për drejtuesit e automjeteve, motomjeteve dhe biçikletave por edhe gjatë lëvizjes si këmbësorë duke kaluar nga njëri kah i rrugës në tjetrin, të tregojnë kujdes të shtuar, duke respektuar me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, pasi rreziku për t’u përfshirë në aksidente rrugore është i madh.
Si pasojë e reshjeve të dendura dhe erës së fortë, në disa akse rrugore ka prezencë të ujit dhe inerteve në rrugë, dhe për këto arsye përdoruesit e rrugës duhet të rrisin vigjilencën sidomos kur janë duke drejtuar automjetet apo motomjetet në kushtet e errësirës ku pamja është e kufizuar.
Me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, strukturat e Policisë Rrugore kanë rritur prezencën në të gjithë vendin dhe po përdorin mjetet inteligjente për të parandaluar, konstatuar dhe ndëshkuar shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor, të cilët janë burim rreziku për përfshirje në ngjarje rrugore.
Policia Rrugore apelon për modelim të shpejtësisë, mos përdorim të aparatit celular dhe për mos kryerje të parakalimeve të gabuara. Përdoruesit e rrugës, në rast nevoje, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112 dhe shërbimet e Policisë do t’ju vijnë në ndihmë menjëherë.
Ndërkohë i gjithë territori shqiptar është përfshirë këtë të premte nga stuhi shiu. Intensiteti i lartë i reshjeve është shoqëruar me problematika në disa zona, kryesisht në Ultësirën Perëndimore të vendit.
/tvklan.al