Ditët e fundit të majit dhe fillimi i qershorit nuk kanë qenë aspak të zakonta për stinën në të cilën ndodhemi. Meteorologët raportojnë se temperaturat kanë qenë më të ulëta se mesatarja stinore, por ajo që duhet ti gëzohemi është se reshjet marrin fund pasditen e të mërkurës. Ditët në vijim do të jenë pa reshje dhe me diell, gati për të shkuar në plazh.
Tanja Porja: “Pritet që sot pasdite reshjet e shiut të largohen fillimisht nga veriu, më pas nga qendra dhe deri në mesnatë reshjet mund të lokalizohen në juglindje të territorit. Përfundimisht kthjellimet kthehen gjatë natës dhe ditën e nesërme dhe them se deri në fundjavë moti do të jetë kryesisht i kthjellët. Temperaturat vërtetë kanë qenë relativisht të ulëta këto 2-3 ditë. Megjithatë që në mesditën e nesërme ne presim një rritje me 4-5 gradë në qendër dhe jug dhe një rritje akoma më të madhe në veri. Ditën e shtunë, e diela dhe e hëna dhe në vijim pritet të temperaturat ti afrohen shumë 30, 31 apo dhe 31 gradëve, pra gjithë pjesa e ulët e territorit shqiptar.”
E me gjithë ditët me diell dhe mjaft të ngrohta që pritet të vijnë sinoptikanët paralajmërojnë se episode të tilla me shi dhe temperatura të ulëta mund të përjetojmë sërish gjatë kësaj vere./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami