Mbarojnë filtrat në shërbimin e dializës. 180 pacient janë në rrezik për jetën. Ky është alarmi që jep shoqata e Hemodializës Shqiptare. Sipas tyre aktualisht po përdoren filtrat e fundit. Të gjendur përballë këtij fakti, ata kanë kërkuar një takim me ministrin e shëndetësisë që t’ju japë një zgjidhje. Pacientët ngrejnë si shqetësim edhe mos pagesën e transportit të tyre nga shtëpia në spital për të kryer dializën.
“Filtra dhe lindja nga sot nuk ka”.
“Nëse një seancë nuk e kryejmë ne vdesim”.
Gazetarja: Kompensohet kjo seancë me mjekime?
“Jo absolutisht jo, absolutisht jo. Është e fundit dmth jeta-vdekje është vetëm kjo”.
“Ka 8 muaj që është dhënë urdhri për transportin në shërbim për pacientit edhe nuk është vendosur hala, s’merret vesh”.
Alarmin për mungesën e filtrave, pak ditë më parë e ka dhënë edhe vetë shefi i shërbimit të dializës Nestor Thereska. Të sëmurët me dializë, kryejnë 1 herë në 3 ditë filtrimin e gjakut e nëse ky proces nuk do të bëhej në kohë, pacientëve ju kushton jetën.
…
Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të dhurojnë gjak në mënyrë vullnetare, pasi sezoni i verës ka rritur nevojën për gjak e nëse këto nevoja nuk do të plotësohen me dhurime atëherë Shqipëria do t’i drejtohet importit të gjakut.
Irena Qendro: “Gjatë periudhës së verës vërehet edhe një fenomen tjetër që rrit shumë nevojat për gjak. Ky fenomen është rritja e ndjeshme e numrit të aksidenteve”.
“Nëse ne do ndodhemi para një situate që në rezervat ose në gjakun e mbledhur në vend nuk do arrijmë t’i plotësojmë kërkesat e këtyre pacientëve kronikë, atëherë do futet, do luftohet për importin e gjakut”.
Në mbështetje të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, është vënë edhe Instituti i Shëndetit Publik./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami