Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Pak ditë pas vrasjes së sekretarit të përgjithshëm të Komunitetit Mysliman Sali Tivari, ka reaguar edhe myftiu i Elbasanit Halit Muharremi. Në një intervistë për TV Klan, ai shprehet se vrasësi i Tivarit nuk është nga radhët e myslimanëve të Elbasanit. Myftiu Halit Muharremi, njëherësh edhe anëtar i komunitetit në këtë qytet, mohon gjithashtu, që prokuroria të ketë marrë në pyetje pjesëtarë të tjerë lidhur me vrasjen përveç një imami.

Halit Muharremi:- “Unë nuk di që të ketë nga besimtarët të ndaluar këtu në Elbasan dhe as të thirrur me përjashtim të një personi, që është thirrur për të dëshmuar, nuk e di përse, por nuk ka as të ndaluar dhe as të thirrur, madje as unë zyrtarisht s’ka ardhur njeri, që të më marrë mendimin, lidhur me këtë problem. Natyrisht, brenda islamit ka edhe mendime të kundërta dhe këto mendime nuk duhet të jenë të frikshme dhe nuk janë të frikshme sipas islamit, por janë mendime që gjenerojnë brenda Kuranit të shenjtë, brenda traditës profetike, që dmth. në fund të fundit synohet për të ecur përpara”.

Për vrasjen e sekretarit të përgjithshëm Sali Tivari, janë shoqëruar nga policia vetëm në Tiranë, mbi 40 persona. Prokuroria ka deklaruar në kohë se vetëm në këtë ngjarje, pistat kryesore të hetimit janë ato të luftës, për postin që mbante viktima, si dhe për çështje fondesh që administroheshin pikërisht nga sekretari i përgjithshëm i komunitetit./tvklan.al