Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Socialistët e Shkodrës kanë mbushur shkallët e pallatit të sportit të qytetit, në mitingun elektoral të prezantimit të kandidatëve për deputet. Kryesocialisti Fatos Nano dhe kryeministri Ilir Meta, kanë kërkuar votën e shkodranëve për të sjellë në parlamentin e ri si deputete Esmeralda Uruçin, Sokol Axhemin, Xhevat Shimën, Lekë Çukajn, Gjergj Liqezën, e Ndrek Rukajn.
Shkodranët i kanë pritur krerët socialistë me këngët popullore të krahinës. Në fjalën e tij para socialistëve të Shkodrës kryesocialisti Fatos Nano tha, se fillimi i ri është fundi i karrierës politike të Sali Berishës. Kryesocialisti Nano akuzoi qeverinë e udhëhequr nga PD se ka furnizuar me naftë kontrabandë tanket e Millosheviçit, për të vrarë shqiptarët në Kosovë.
Projektet konkrete të qeverisë për Shkodrën i ka paraqitur kryeministri Meta. Brenda disa javësh do të nisim punimet në rrugën Shkodër-Velpojë, ndërsa do të mbarojnë në kohë rekord superstrada Lezhë-Shkodër, tha Meta.
Etapa e sotme elektorale e socialistëve është mbyllur me Lezhën. Kryeministri Ilir Meta prezantoi dy kandidatët për deputet, botuesin Nikoll Lesi dhe Ramadan Hasani. Deputeti Lesi, premtoi realizimin e të gjitha premtimeve elektorale për Lezhën./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame