Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Edicioni i 2-të i spektaklit të madh Maratona e Këngës Popullore Qytetare, i realizuar nga Televizioni Kombëtar Klan, ka përcjellë më së miri në mbrëmjen e parë, mesazhin e tij, duke shkrirë kufijtë dhe hapësirat mbarë shqiptare. Tradita, artizanati, kostumet janë ndërthurur dhe gërshetuar më së miri mes tyre, në këtë spektakël gjigand.
Gjithçka ka nisur me grupin e fëmijëve të përgatitur nga koreografi Llaqi Nako, të cilët kanë zbritur në skenë, valle nga trevat e ndryshme shqiptare, për të vazhduar më pas me trupën e mrekullueshme të baletit të TV Klan, të drejtuar nga koreografi Albi Nako, të cilët kanë ndezur që në minutat e para atmosferën e këtij spektakli gjigand.
Ka qenë më pas, prezantuesja e mirënjohur nga publiku shqiptar Rudina Magjistari, e cila ka thyer butësisht atmosferën tradicionale të krijuar nga vallet, duke çelur kështu zyrtarisht mbrëmjen e parë të Maratonës së Këngës Popullore dhe Qytetare, në edicionin e 2-të të saj. Përkrah saj në këtë spektakël është shfaqur edhe një nga figurat më të njohura të skenës dhe ekranit shqiptar aktori Guliem Radoja. Por regjisori Julian Napoloni dhe stafi realizues i spektaklit, kanë menduar t’i shtojnë maratonës edhe mysafirët e huaj, të cilët e duan vendin tonë, kulturën dhe traditën e tij.
Emocionet e kësaj mbrëmje magjike janë përcjellë live në të gjithë Europën, nëpërmjet transmetimit satelitor, mundësuar nga Televizioni Publik Shqiptar, gjithashtu edhe në të gjitha trevat mbarë shqiptare, nëpërmjet televizioneve Koha Vizion në Kosovë, ART Kanal dhe MKTV 3 në Maqedoni, si dhe Teuta në Mal të Zi. Madje një nga momentet më të veçanta të spektaklit ka qenë edhe lidhja direkte me Prishtinën, nëpërmjet televizionit Koha Vizion, ku e kanë përshëndetur këtë spektakël të madh emra të njohur të muzikës kosovare.
Gjithçka është realizuar me profesionalizëm të lartë në këtë spektakël nga stafi i TV Klan. Tradicionalja dhe modernia janë ndërthurur më së miri mes tyre në konkursin e Disko-Folkut, ideuar nga skenaristi i mirënjohur Pandi Laço, ku në mbrëmjen e parë kanë qenë në garë mes tyre këngëtarët Jonida Maliqi, Françesk Radi, grupi West Side Family etj. Muzika është përzgjedhur me kujdes të veçantë në këtë spektakël nëpërmjet udhëheqësit artistik Adi Hila dhe në mbrëmjen e parë që i është kushtuar tërësisht kryeqytetit shqiptar Tiranës, kanë përshëndetur këngëtarët Artjola Toska, Pajtim Struga, Valbona Mema, por ky spektakël i madh, nuk i përket një nate të vetme. Do të jenë rreth 18 netët që do të ngjisin në skenë, rreth 56 artistë në konkurrim mes tyre dhe me dhjetra personazhe të ftuar nga qytete të ndryshme të vendit.
Skenografia me përmasa të mëdha, e realizuar nga Bashkim Zahaj, solli një shkrirje të elementëve karakteristik të banesës popullore qytetare shqiptare. Spektakli Maratona e Këngës Popullore Qytetare është mbështetur në realizimin e tij dhe nga kompani që kanë sponsorizuar në këtë spektakël, si AMC, Western Union, Banka e Kursimeve, Birra Tirana dhe kompania ARMO. Duhet theksuar ndër të tjera, se kjo maratonë realizohet nën kujdesin e veçantë të Ministres së Kulturës Arta Dade, si dhe me mbështetjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës Edi Rama.
Kështu, gjithçka ka nisur tashmë në TV Klan, i cili ashtu si dhe në mjaft aktivitete të tjera i ka kushtuar një hapësirë të madhe, promovimit të traditës, artit dhe kulturës në Shqipëri, çka e ka renditur atë në televizionin më të dashur dhe më të shikuar nga publiku shqiptar./tvklan.al
Gazetare – Fjodora Fjora