Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Është parë duke lëvizur në afërsi të Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe për këtë është shoqëruar menjëherë në drejtorinë e policisë me pranga në duar. Një shtetas irakian Abdullah Al Hasan, i është dashur të shpjegojë në drejtorinë e policisë lëvizjen në afërsi të ambasadës në rrugën e “Elbasanit” është bërë rutinë, pasi ai banonte në një shtëpi në afërsi të “Qytetit Studenti”.

Nga verifikimi rezulton, se personi ka hyrë dhe qëndruar në vendin tonë me dokumentacion të rregullt. Së fundmi Al Hasan nuk ka rinovuar lejën e qëndrimit dhe për këtë autoritetet policore, e kanë këshilluar të nxitojë, pasi ndryshe rrezikon dëbim nga Shqipëria.

Që pas fillimit të luftës në Irak, policia dhe shërbimet sekrete shqiptare, filluan një verifikim të gjithë shtetasve irakianë, rezident në vendin tonë. Dy muaj më parë në Lushnje, u ndalua për disa orë një tjetër irakian i lindur në Basra, por nga verifikimet doli se personi kishte vite që jetonte në Shqipëri, si dhe një martesë të rregullt me një shtetase shqiptare./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj