Lajme Arkiva 2003
Kërkesa e banorëve të Bathores për tjetërsimin e pronës nga tokë bujqësore në tokë urbane siç u premtua në marrëveshjen për ndërprerjen e protestave nuk është marrë në shqyrtim nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Shqipërisë, sipas rendit të ditë u miratua në parim vija kufizuese e qendrës së banuar të Bathores çka do të thotë se çdo ndërtim që do të kryhet jashtë saj nuk do të përfshihet në procesin e legalizimit të banesave pa leje.
Duke shqyrtuar së bashku edhe planin strategjik urban të Kamzës kryeministri Fatos Nano tha se edhe masakra urbane është shoqëruar me shumë efekte anësore pozitive dhe negative të cilat duhet të trajtohen me qetësi dhe maturi për të dhënë zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjata. Kryeministri është treguar i ashpër edhe përballë kryetarit të bashkisë së Kamzës i cili bëri vërejtje për hartimin e planit strategjik urban të kësaj bashkie.
Fatos Nano: Asnjë qeveri nuk ka çarë kokën për Bathoren. Në qoftë se je njohur me situatën apo me konceptin që ka trajtuar edhe sekretaria teknike në vlerësim të platformës së qeverisë edhe për planin e zhvillimit strategjik urban të bashkisë Kamës ne nuk e kalojmë sot studimin përfundimtar. Koncepti që i propozohet KRTSH-së të marrë, vlerëson studimin e planit strategjik të zhvillimit urban të bashkisë së Kamzës dhe përpara miratimit përfundimtar, ky studim do të rakordohet me planin strategjik të Tiranës së madhe, me zhvillimin urbanistik të zonës sub urbane dhe me planin e përgjithshëm rregullues të Kamzës, veçanërisht në aspektet e rrjetit rrugor kryesor dhe të rrjeteve rrugore kryesore të qytetit të Tiranës.
Duke miratuar në parim të dyja pikat e rendit të ditës Këshilli i Rregullimit të Territorit të Shqipërisë aprovoi se së bashku me miratimin studimit të Tiranës së madhe ne bazë të legjislacionit do të zgjidhen edhe problemet e komunitetit./tvklan.al