I qetë dhe me pranga në duar, doli para trupit gjykues këtë të diel ish-Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, Dashamir Xhika.
Ish-funksionari i LSI, akuzohet nga Prokuroria e Elbasanit bashkë me të edhe paraardhësin e tij Andi Toma për abuzime me tendera, vlera të cilave shkon deri në 5 miliardë lekë.
Gjatë gjithë kohës që zhvillohej seanca gjyqësore, në sallën e gjyqit qëndronte edhe deputeti i LSI në Qarkun e Elbasanit, Edmond Haxhinasto.
Seanca u ndërpre dy herë me kërkesë të avokatëve mbrojtës.
Ata kërkuan tërheqjen nga çështja të gjykatëses Idushe Maliqi dhe Prokurores Armanda Xhaferi me arsyetimin se kanë shkelur procedurat për arrestimin dhe kontrollin e banesave të të pandehurve mbrëmjen e së enjtes.
E gjendur përballë një kërkese të tillë, gjyqtarja Maliqi u tërhoq nga trupa gjykuese dhe për rrjedhojë seanca u shty për një ditë tjetër. Përveç Xhikës dhe Tomës, të arrestuar janë edhe 3 familjarët e familjes Hysa të cilët ndërtuan segmentin Elbasan-Gjinar. Ndërkohë në gjendje të lirë po hetohen edhe 5 persona të tjerë të cilët kanë pasur rolin e mbikëqyrësit të segmentit rrugor.
Tv Klan