Ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare Fetullah Gylen. Kleriku, i cili dikur ka patur ndikim të madh në politikën e Turqisë njihej si rivali kryesor i presidentit Rexhep Taip Erdogan. Gylen ndërroi jetë në një spital në Shtetet e Bashkuara, pasi javët e fundit gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar si pasojë e sëmundjeve të zemrës dhe diabetit.

Prej çerek shekulli jetonte në arrati në Pensilvani, nga ku drejtonte edhe rrjetin e organizatave të tij Hizmet, të përqendruara në filantropi dhe arsim privat me një rrjet të gjerë shkollash në Turqi dhe vende të ndryshme të botës përfshirë Shqipërinë dhe Ballkanit Perëndimor.

Prej vitit 2016, ndaj tij kishte një urdhërarresti ndërkombëtar nga Turqia, pasi Fetulla Gylen akuzohej si organizator i grushtit të dështuar të shtetit të korrikut të atij viti ku u vranë 250 persona. Pas asaj ngjarjeje, organizatat e tij u shpallën terroriste. Mijëra persona të lidhur me të, përfshirë edhe shumë gjykatës e prokurorë u arrestuan.

Tensionet mes miqve të dikurshëm nisën në 2013-ën, kur drejtësia turke nisi një valë procedimesh penale për korrupsion ndaj eksponentëve të qeverisë turke që në atë kohë drejtohej nga Erdogan, i cili akzuoi Gylenin për luftë politike. Megjithatë, kleriku i ka mohuar gjithmonë këto akuza.

Tv Klan