Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Banorë të shpronësuar për ndërtimin e segmentit të Korridorit 8, Librazhd-Elbasan, kanë protestuar për vonesën e tej zgjatur të kompensimit të tyre. Puna e firmës maqedonase Granit, ka hasur në vështirësi serioze, pasi disa fshatarë të komunës Papër, me rezistencën e tyre, i kanë kërkuar shtetit të çojë deri në fund kompensimin e tyre për tokën, ku do të ndërtohet kjo pjesë e superstradës lindje-perëndim.
Por protestës së këtyre banorëve i ka dhënë fund si gjithmonë policia, pas ndërhyrjes së të cilës janë shoqëruar në komisariatin e Elbasanit, dy persona, për shkakun e vetëm, se kërkojnë të drejtën e kompensimit të pronës së tyre.
Ndërkohë, banorë të tjerë të fshatit ankohen se firma maqedonase nuk po respekton parametrat për ndërtimin e rrugës. Sipas tyre, mungesa e nënkalimeve dhe mbikalimeve të parashikuara në projekt, rrezikon jetën e fëmijëve dhe banorëve të zonës, ndërsa shtëpitë dhe kulturat bujqësore rrezikojnë të mbyten./tvklan.al
Gazetare – Elona Meço