Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në përfundim të rrugëtimit të Kombëtares në Euro 2024 thotë se ndeshja me Kroacinë ka qenë shumë emocionuese për të.

I ftuar në emisionin “Kampionët” nga Marina Vjollca në Tv Klan, Duka thekson se i gjithë Europiani ka qenë shumë emocionues ku shprehet se prandaj duhet eksperienca, që të jetë më e lehtë menaxhimi i emocioneve edhe për lojtarët.

Marina Vjollca: Dy skuadrat e grupit tonë Çekia dhe Polonia u skualifikuan.

Armand Duka: Tani 24 skuadra, 8 do të eleminohen. Për mua të 24 janë të nivelit të lartë, përderisa bëhen pjesë e Europianit. Fakti që Gjeorgjia kalon dhe Ukraina nuk kalon me 4 pikë tregon se diferencat nuk janë shumë të mëdha. Qoftë edhe ne, mbase me më shumë zgjuarsi, apo me më pak emocion mund dhe duhet ta kishim kaluar grupin edhe pse kishim në “grupin e vdekjes” siç u etiketua. Nuk do të thotë ndonjë gjë sepse ato skuadra që ishin në grup me ne, u eleminuan janë më pak të forta, apo më të dobëta.

Marina Vjollca: Në të gjithë këto ditë çfarë emocioni ke përjetuar?

Armand Duka: Shkatërrues. Sidomos ndeshjen me Kroacinë kam menduar se nuk do të shkoj deri në minutën e 90, kështu që imagjino ato tjerat që kanë qenë në fushë. Më shumë emocione se tek ajo ndeshje nuk kam ndjerë asnjëherë në jetën time sepse ishim 1-0, shkonim pranë golit dhe duke e ditur atë teorinë e futbollit që nëse nuk shënon do të pësosh, ajo ma shtonte më shumë ankthin, emocionin dhe faktikisht ndodhi që ata shënuan dy herë. Pastaj ekipi tregoi shumë karakter që e barazoi dhe mund ta përmbyste atë rezultat. Emocioni kryesor ka qenë në atë ndeshje, por Europiani ka shumë emocion dhe prandaj thuhet që duhet eksperiencë. Pikërisht kjo është eksperienca që të menaxhosh emocionet.

Kujtojmë se Shqipëria humbi 2 me 1 ndeshjen me Italinë, barazoi 2 me 2 me Kroacinë dhe humbi 1 me 0 me Spanjën./tvklan.al