Tirana-Flamurtari do të jetë finalja e Kupës së Shqipërisë që do të luhet më 6 Maj, një finale që përsëritet pas 13 vjetësh.
Tirana ka eliminuar Vllazninë falë fitores 1 me 0 në Qemal Stafa, ndërsa Flamurtari kaloi pas barazimit 1 me 1 me Shkumbinin në Peqin, takim që u mbyll para kohe pasi tifozeria vendase hodhi sende të forta në fushë.
Përballja e zhvilluar në kryeqytet ka qenë plot emocione pasi goli që zgjidhi gjithçka u shënua vetëm në fundin e shtesës së parë.
Jetmir Sefaj, i cili zëvendësoi kapitenin Devi Muka, i harruar nga mbrojtja shkodrane e pati të lehtë ta çonte topin në rrjetë, një lojë që deri në ato momente pati shumë raste për të dy ekipet pasi barazimi pa gola në takimin e parë nuk ndihmonte asnjë.
Kjo ishte një hakmarrje për bardhë e blutë që vitin e kaluar u mundën nga Vllaznia në finalen e Kupës së Shqipërisë.
Fituesi i Kupës së Shqipërisë merr pjesë në UEFA Europa League./tvklan.al