Numri i aborteve në 5 vitet e fundit në vendin tonë qëndron pothuajse në nivele konstante, me rreth 5500 ndërprerje shtatzënie. Por sipas mjekëve obstetër gjinekolog, nivelin më të lartë e përbëjnë abortet e padëshiruara.
Shkaktarët që sjellin ndërprerjen e shtatzënisë, sipas tyre janë të shumtë, duke nisur nga problemet shëndetësore të nënës, deformimet genetike të fetusit por edhe ndotja e ambientit.
Abortet me kërkesë të gruas janë më të pakta, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, ato përbëjnë pothuajse 21% të numrit total. Për vitin 2018 janë regjistruar 5.532 aborte prej të cilave me kërkesë të gruas kanë qenë 1.132 ndërprerje.
Shumica e aborteve në vend kryhen nga femra të grupmoshës 20-34 vjeç, por një numër të lartë ka edhe tek të miturat pasi rreth 5 % e ndërprerjes së shtatzënisë janë në moshat 14-19 vjeç. Kjo gjë për mjeken Mirela Ruso mund të sjell pasoja të mëdha, madje edhe rrezikun për të mos pasur fëmijë në të ardhmen.
Në 5 vitet e fundit vihet re se raporti midis lindjeve dhe aborteve, ka ardhur duke u ngushtuar, kjo për arsye sepse lindjet po bien ndjeshëm.
Në 2014, ky raport ishte 6 lindje dhe një abort, ndërsa në 2018, ishte 5 lindje dhe një abort. Sipas gjinekologes, tashmë janë të rralla çiftet që bëjnë dy fëmijë.
Klan Plus