Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro zhvilloi një inspektim në Mat për të parë nga afër zbatimin e projektit pilot që bën të mundur ndarjen e mbetjeve në burim dhe mbledhjen e tyre nga ekipet e Bashkisë.
Kumbaro u shpreh se edhe banorët duhet të jenë bashkëpunues në iniciativat që lidhen me pastrimin e vendbanimit të tyre.
“Është shumë e rëndësishme që atje ku ishin koshat të zëvendësohet me një pamje estetike që mund të jetë gjelbërim ose trotuar siç e këni bërë ju, kështu që është fantastike si model.“
“Kjo është e njejtë në të gjithë qytetin edhe nëpër lagje, në çdo rrugicë, pra nuk ka më kosha, nuk ka më vende ku ka pasur kosha, është bërë një rehabilitim total.”
Ministrja Kumbaro foli edhe për projektligjin e ri që ka kaluar në qeveri për një paketë ligjore për rritjen e masës së gjobave për ndotjen.
“Ministria e Turizmit dhe Mjedisit sapo ka mbyllur përgatitjen e një pakete ligjore për rritjen e masës së gjobës dhe për ta kthyer në titull ekzekutiv. Që do të thotë, edhe sot nëse vihen gjoba për ndotje mjedisore, përveçse janë shumë të ulëta gjithë procedura e ankimimit e bën atë të paekzekutueshme. Dhe duke kaluar koha, ajo humbet efektin edukativ si masë ndëshkimore. Prandaj në projektligjin e ri që kemi çuar në qeveri dhe më pas në parlament është rritja e masës së gjobës për të gjitha ato kategori që kanë të bëjnë me ndëshkimet dhe kundravajtjet mjedisore.“
Ky projekt pilot për mbetjet në Burrel mbulon rreth 95% të qytetit dhe më pas do të shtrihet edhe në zonat e tjera.
Klan News