Shqipëria mund të jetë model edhe evropian për bashkëjetesë fetare por aty ku hyn politika hesapet ndahen.

Ishte një përpjekje e pafate ajo e zv/kryeministrit Ilir Meta, ish aleatit të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, për të shkrirë marrëdhëniet e grira, në këtë rast nga pozitat e kryetarit të një partie në bashkëqeverisje.

Në konferencën ndërkombëtare mbi bashkëjetesën ndërfetare, Meta ishte i pari që i zgjati dorën Edi Ramës dhe jo faqen tjetër sikundër mund të sugjeronte bibla në një rast mosmarrëveshjeje qoftë kjo edhe politike.

Por kjo nuk ka thyer akullin aq më pak të lexohet si një sinjal jeshil drejt gjetjet së rrugës për të futur në shina dialogun qeveri-opozitën.

Siç dhe e shihni nga këto pamje, Edi Rama, u përqendrua thelbësisht dhe thellësisht tek teksti i fjalimit për në konferencën mbi bashkëjetesën ndërfetare, ku qartë lexohet tensioni i kësaj pritjeje të panevojshme për të nisur takimi.

Mungesa e dialogut politik u duk dhe në paragrafët e fjalimeve që u mbajtën në takim. Ilir Meta kur tha se lypset uniteti politik, dhe Edi Rama, kur vuri në dyshim opinionin europian mbi Shqipërinë, sot e kësaj dite.

Ilir Meta: “Vokacioni multi kulturorë i kombit tonë është një thesar të cilin çdo shqiptar e shfaq si kulturë, si mënyrë jetese pavarësisht nga vendndodhja e tij sot. Ne e kemi dëshirën e natyrshme që ta ndajmë këtë dimension të shkëlqyer të botës shqiptare me kombet e tjera në rajonin tonë dhe më gjerë. Hapja ndaj kulturave dhe feve tjera përbën një perogativ parësore për unitetin tonë brenda diversitetit. Gjithsesi ky unitet nuk mund të arrihet pa një konsensus të gjerë politik ndërmjet nesh lidhur me sfidat serioze me të cilat ne ndeshemi në këtë kohë globale”. 

Edi Rama: “Mbas viteve ’90 gjithçka fillojë të ndryshojë për gati gjysmë shekulli Shqipëria ishte larguar nga perëndimi. Ndryshimi u shoqërua natyrshëm edhe me emigrime dhe etje të jashtëzakonshme për gjithçka që konsiderohej e ndaluar. Evropa dhe Shqipëria ishin larguar aq shumë sa thuajse nuk e njihnin më njëra-tjetrën, dukej se në sytë e Evropës, një Shqipëri me fytyrë evropiane vihej në diskutim. Madje sot e gjithë ditën jo të gjitha sytë e Evropës nuk e vënë në diskutim Shqipërinë me fytyrë evropiane”.

Në këtë rast presidenti i republikës nuk i mbetet veç të nxisë dialogun që dukshëm sipas tij është vetëm në dorë të politikës.

Bamir Topi: “Shtrëngimi i duarve është besoj një moment formal i domosdoshëm. Por çështja duhet të shkoj më tej sesa ana sipërfaqësore duhet të shkoj në substancë dhe kjo është në konstitucionin shpirtërorë të çdo njeriu”./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi