Armend Zemaj: Kemi porositur 1 milion e 800 mijë doza
Ministri Shëndetësisë Armend Zemaj vazhdon të këmbëngul se vaksinat e para anti-Covid do të arrijnë në Kosovë në muajin shkurt. Tha se janë duke punuar pa ndalë për sigurimin e kësaj vaksine.
“Jemi duke punuar intensivisht. E mira është që e kemi siguruar zinxhirin e ftohjes, derisa përgatitjet teknike janë në realizim. Është hartuar strategjia e imunizimit. Procesi i vaksinimit do të fillojë sipas dinamikës dhe sigurimit të vaksinës ashtu siç po pretendojmë jo vetëm ne, por edhe vendet evropiane”.
Në deklaratat e mëhershme Zemaj pati bërë të ditur se Kosova ka siguruar mbi 1 milion e 800 mijë vaksina. Sipas Zemajt nuk do të ketë lirim të masave.
“Pozitiviteti ka qenë shumë i kënaqshëm, por kjo nuk do të thotë që mund t’ia lejojmë vetes komoditetin që të shkojmë drejt lirimit të ndonjë mase të caktuar e cila mund ta prishë stabilitetin që e kemi tash”.
Këto komente ai i bëri gjatë prezantimit të pullës postare dedikuar personelit shëndetësor që kanë humbur jetën gjatë ballafaqimit me Covid19.
Tv Klan