Tirana mbetet qyteti ku maska përdoret masivisht
Përdorimi i maskës në të gjitha mjediset publike nuk është më një diskutim që i përket Tiranës. Janë të paktë ata që dalin nga shtëpia pa masa mbrojtëse. Por krejt ndryshe është realiteti në qytete të tjera të vendit.
Në Elbasan janë të paktë ata që shikon në rrugë me maskë, edhe pse ky rezulton të jetë një ndër qarqet më të prekura nga koronavirusi.
Edhe pse prej një viti flitet për rrezikshmërinë e Covid-19, ka ende qytetar, të cilët nuk e besojnë fuqinë e kësaj pandemie.
Por nuk mungojnë dhe ata që besojnë se maska i mbron, ndaj kërkojnë me shumë kontrolle për të ndërgjegjësuar pjesën tjetër.
E njëjta gjë ndodh edhe në Durrës. Një pjesë e mirë e popullatës lëviz pa maska, ndërsa pjesa tjetër kërkon që përdorimi i saj të zbatohet në të mirë të shëndetit të të gjithëve.
Rritja e numrit të të infektuarve në Lushnje ka rritur ndërgjësimin për të përdorur maskën, por sërish ka shumë qytetarë që e neglizhojnë, duke besuar se ajo nuk është e vetmja mbrojtje.
Në Vlorë veç mungesës së maskës, qytetarët janë neglizhentë dhe në ruajtjen e distancave në institucione të ndryshme. Ata që refuzojnë maskën thonë se nuk i tremben pandemisë.
Të pashqetësuar nga mungesa e maskës lëvizin në rrugë dhe qytetarët e Shkodrës dhe nëse i pyet përse, atëherë tregojnë se e mbajnë maskën në xhep, thjesht si një detyrim, për të mos u ndëshkuar.
Të moshuarit janë ata që e mbajnë maskën thuajse gjithë kohën.
Çdo ditë vihen me dhjetra gjoba në çdo qytet si pasojë e mosmbajtjes së maskës në ambiente publike.
Tv Klan