Nuk ka propozim të ri për zgjidhjen e kontestit të emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, as pas takimit të sotëm të ndërmjetësuesit Metju Nimic me negociatorët e palës maqedonase dhe greke Zoran Jolevski dhe Ademantios Vasilakis.

Në takimin e sotëm i cili u realizua pas katër muajve pauzë, sërish është biseduar rreth ideve të fundit për zgjidhjen e çështjes së emrit të propozuara para disa muajve nga ndërmjetësuesi Nimic. Nimic pas takimit ka deklaruar se ka ardhur koha që Greqia dhe Maqedonia më intensivisht të negociojnë për zgjidhjen e këtij kontesti i cili po e bllokon anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.

Ndërkohë kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski ka  përsëritur qëndrimin se për çfarëdo lloj zgjidhje të këtij kontesti duhet të vendoset në referendum.

Nikolla Gruevski: “Pasi të ketë propozim konkret ai do të parashtrohet në referendum në mënyrë që qytetarët të tregojnë nëse ai propozim është i pranueshëm ose jo.”

Procesi negociues rreth çështjes së emrit të Maqedonisë do të vazhdojë më 6 korrik kur ndërmjetësuesi Methju Nimic do të vizitojë Shkupin dhe Athinën. Nuk është e qartë nëse gjatë këtyre vizitave Nimic do të sjellë propozim të ri për emrin./tvklan.al

Gazetari: Isen Saliu