Të ftuar në studion e emisionit “Historia ime”, kanë qenë avokati Jordan Daci dhe psikologu Elidon Shehu për historinë e 20-vjeçarit që plagosi një polic në Kamëz në vitin 2017.

Avokati Jordan Daci ka shpjeguar rastin në aspektin penal, pra, si qëndron çështja e Ramadanit, ndërsa psikologu Elidon Shehu ka treguar se si ishte gjendja e Ramdanit pas plagosjes së policit.

Elidon Shehu: Gjendja psikologjike e autorit nuk ishte e mirë. Nga oficerët që kishin vlerësuar nuk ishte e mirë dhe kërkuan ndihmën time. Dukej që në mënyrën e të qëndruarit dhe reaguarit që nuk ishte në gjendje të mirë psikologjike. Me vështirësi thoshte edhe të dhënat e tij personale. Mesa kujtoj i kanë dhënë ushqim dhe ujë derisa u qetësua për të folur.

Mirela Milori: Nga aq sa pe, çfarë diagnoze apo si t’u duk, ishte shok i momentit apo ka patur probleme të mëparshme të shëndetit mendor të cilat mund të jenë agavuar apo nuk janë kapur nga familjarët dhe kanë sjellë deri në aktin e rëndë?

Elidon Shehu: Gjendja e tij ishte depresion i thellë. Nga intervista që i mora, mendoj kishte një problem më të rëndë psikologjik ose çrregullim skizofrenie. Por gjithsesi duhet të bëhet një diagnozë diferenciale nga mjeku psikiatër, gjë që duhet të jetë bërë përderisa ndodhet në atë burg aty.

Mirela Milori: Nëna nuk di se çfarë vendmi është marrë në gjykatë dhe nuk ka dalë në gjykatë, ka mundësi të jetë kështu?

Jordan Daci: Absolutisht që nuk ka mundësi. Nuk ndodh që dikush të qëndrojë në paraburgim 3 vjet. Fakti që ai ndodhet në spitalin e burgut, kryesisht mund të jetë me probleme mendore. Mund të ndodhet aty ose për plagosje të rëndë me dashje, ose vrasjes në ngelje në tentativë. Në të dyja rastet parashikohen dënime të rënda. Por nga ana tjetër nëse personi vuan nga çrregullime mendore të rëndë që e bëjnë të paaftë të kuptojë pasojat që vijnë nga veprimet e tij, sigurisht në këtë rast ai nuk do dënohet penalisht, por do i nënshtrohet mjekimit të detyrueshëm. Pra nuk do dënohej se në kushte normale, ai mund të dënohej deri në 30 vjet ose me burgim të përjetshëm për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj një punonjësi policie. Mund të jemi para rastit kur ai ka çrregullime mendore dhe treguesit janë të tillë.  /tvklan.al