Erista është 24 vjeçe dhe ka sjellë  në “Shihemi në Gjyq” nënën e saj, Entelën. Ajo e nis këtë seancë ndërmjetësimi të programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan me një gjuhë të ashpër ndaj nënës. Erista e fajëson që i ka hedhur “një bombë” pasi ka mësuar se ka një vëlla tjetër. Entela i thotë se ai vjen nga ligji dhe nuk e ka nxjerrë ajo.

Erista: Kam 3 javë që kam marrë vesh bombën që nëna ime më ka bërë, ndaj unë sot e kam sjellë këtu.

Entela: Po çfarë bombe të ka bërë nëna ty, moj? Nuk ke turp që më ke sjellë mua sot këtu? Vetëm 6 muaj ka babai që ka vdekur!

Erista: Po ç’më duhet mua sa ka babai moj zonjë? Ti më ke sjellë mua sot, më ke detyruar që unë kam ardhur sot këtu!!

Entela: Çfarë të kam bërë unë?

Erista: Znj. Eni, kjo zonjë që ju shikoni këtu…

Eni Çobani: Që është nëna juaj, pra zonjë i thua nënës ti, 24 vjeç?! Është shumë e rëndë që t’i drejtohesh me “zonjë” se është nëna jote, je 24 vjeç!

Erista: Më ka fëlliqur me njerëzit!

Eni Çobani: Mamaja? 

Erista: Po!

Eni Çobani: Për ç’arsye?

Erista: Jam 24 vjeçe sot dhe nëna ime, zonja që kam sjellë këtu më ka nxjerrë një vëlla tjetër që unë s’e njoh fare!

Entela: Po s’ta nxora unë vëllanë moj zemra ime se ta nxori ligji moj, jo unë!

Erista: Moj zonjë, ti ma ke nxjerrë se unë nuk e njoh, jam 24 vjeçe sot moj! Unë njoh vetëm një motër dhe një vëlla. Motra ime quhet Dorela Buzi dhe Demir Buzi znj. Eni, kjo zonjë këtu më ka nxjerrë edhe një vëlla tjetër moj znj. Eni! Është turp që unë të dal në rrugë moj znj. Eni!

Entela: Si ta nxora unë vëllain tjetër ty moj?

Erista: Ti ma ke nxjerrë, unë jam 24 vjeçe sot dhe nuk njoh tjetër vëlla përveç Demir Buzit! Ky Arbër Buzi nga më ka dalë moj zonjë? Ti duhet ta dish se nga ka ardhur ky se unë nuk e njoh, jam 24 vjeçe sot, nga ka dalë ky?

Entela: Këto gjëra i ka bërë  ligji!

Erista: Si ligji moj? Fëmijët i keni juve moj, si ligji? Ku e keni gjetur këtë Arbër Buzi?

Pas vdekjes të së shoqit, Entela ka bërë çeljen e trashëgimisë, ku veç saj e tre fëmijëve, rezulton se pjesëtarë janë Natasha Plepi dhe Arbër Buzi. Entela thotë se kur ajo është martuar me të ndjerin, Lulëzimin, në shtëpi ka gjetur Dorelën 5 vjeçe dhe më pas ka lindur Eristën dhe Demirin. Erista thotë se nëna e saj po zgjedh Arbër Buzin përpara tyre./tvklan.al