Fredi Beleri ka bërë kërkesë në Gjykatën e Fierit për liri me kusht. Siç raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci, në datë 17 Korrik është zhvilluar një seancë për çështjen e tij, por është shtyrë pasi nuk është paraqitur juristi i burgut. Ky i fundit ishte njoftuar për datën dhe orën e seancës.

Ndërkohë vlen të theksojmë se Drejtoria e Burgjeve i dha 5 leje Belerit që ai të shkojë dhe të betohet si eurodeputet i Greqisë në Strasburg. Beleri doli nga burgu i Fierit më 16 Korrik dhe iu drejtua aeroportit të Rinasit, me një makinë të ambasadës greke. Më pas udhëtoi drejt Athinës, ku u takua dhe me kryeministrin grek, Mitsotakis. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve leja e Belerit mbaron nesër.

Beleri është dënuar nga Gjykata e Posaçme e Apelit me 2 vite heqje lirie për korrupsion në zgjedhje. Ai e shlyen dënimin e tij më 19 Tetor të këtij viti.

/tvklan.al