Presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar një bisedë telefonike me kreun e Kremlinit për luftën në Ukrainë.
Këtë e bëri të ditur vetë Kreu i Shtëpisë së Bardhë në një intervistë për median amerikane New York Post ku ai ka sqaruar se Putin dëshiron që të ndalohet humbja e jetëve si rezultat i konfliktit gati 3-vjeçar mes dy shteteve.
Megjithatë, nuk sqarohet se kur ka ndodhur ky komunikim mes dy krerëve të shteteve dhe sa herë ata kanë folur me njëri-tjetrin lidhur me këtë çështje.
“Shpresoj që fundi i luftës të jetë i shpejtë. Çdo ditë njerëzit po vdesin. Kjo luftë është shumë e keqe në Ukrainë. Unë dua t’i jap fund kësaj gjëje të mallkuar”, tha Trump për New York Post.
Të premten, Trump la të kuptohet se mund të krijohet mundësia për të takuar Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy javën e ardhshme për të diskutuar fundin e luftës.
Lufta do të hyjë në vitin e saj të tretë më 24 Shkurt. Mijëra njerëz, shumica dërrmuese e të cilëve civilë, ukrainas, janë vrarë gjatë konfliktit.
Klan News