Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Për t’i vënë fre abuzimeve dhe për të ngushtuar abuzimet për korrupsion, me urdhër të kryeministrit Nano është ngritur një grup ndërministror, i cili do të bëjë të mundur thjeshtëzimin dhe standardizimin e të gjitha shërbimeve publike.
Zëvendësministri i Drejtësisë, i cili është pjesë e këtij grupi ndërministror, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të ndryshëm të biznesit, për të diskutuar për arritjen e një bashkëpunimi midis tyre, për të thjeshtëzuar procedurat për marrjen e dokumenteve të ndryshme, që i nevojitet personave që duan të fillojnë një biznes.
Përparim Sanxhaku: “Qëllimi i shtetit është të thjeshtojë dhe të standardizojë të gjitha llojet e licencave të lejeve të autorizimeve që komuniteti i biznesit apo shtetas të tjerë kanë të bëjnë me to dhe që kanë të bëjnë për informim dhe në të njëjtën kohë të kenë të drejtën e sqarimit të ankimit, të marrjes së procedurave të plota në një organ shtetëror të caktuar”.
Sipas Sanxhakut, ky grup ndërministror ka nisur nga puna dhe shumë shpejt burokracitë dhe pengesat që hasin biznesmenët për të marrë një autorizim, leje apo licencë, nuk do të ekzistojnë më./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka