Afro 15 mijë drejtues mjetesh dhe rreth 7 mijë automjete do të marrin të gjitha shërbimet e nevojshme dhe me standarde në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Mat.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku pa nga afër ambientet e reja që ofrojnë shërbim shumë pranë vendbanimit për qytetarët.
Belinda Balluku, zv. Kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës: Me hapjen e kësaj qendre këtu do të përfitohen miliona minuta të humbura, por edhe para të shpenzuara në naftë apo benzinë për të gjitha ato automjete, të cilat ishin të dislokuara në Mat, por ama shkonin për të marrë shërbimet në Dibër.
Balluku nënvizoi se falë shërbimit në Drejtorinë e Re të Transportit Rrugor, ulen edhe kostot financiare për drejtuesit e mjeteve.
Belinda Balluku, zv. Kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës: Është kënaqësi gjithmonë që të ndihmojmë qytetarët dhe të adresojmë pikërisht problematikat duke pasur parasysh edhe analizat që ne bëjmë, nuk janë vendime që merren sepse u zgjuam një ditë dhe e vendosëm këtë gjë, por janë vendime që merren në bazë të analizave duke parë numrin e automjeteve, duke parë distancën, duke parë kompleksitete të tjera. Por unë besoj që ata që e vlerësojnë më shumë do të jenë bizneset pasi zona ka numër të shtuar të automjeteve të rënda të cilat sigurisht janë komponent i disa bizneseve të Matit.
Në drejtorinë e re të transportit në Mat qytetarët mund të kryejnë të gjitha shërbimet që nga regjistrimi i mjetit, kontrolli fizik, kontroll teknik, pagesa e taksave dhe çdo veprim tjetër.
Klan News