Banorët e lagjes Kalluc në Poliçan u evakuuan nga banesat e tyre, pak para nisjes nga ushtria të operacionit për asgjësimin e 113 kg lëndë iniciale ose zhivë të ndodhura në tre depo armatimi.

Rreth orës 10 të paradites tre shpërthime të njëpasnjëshme me komandim elektrik i dhanë fund asgjësimit të zhivës në tre prej bunkerëve në zonën ushtarake.

Ky operacion u ndoq nga afër nga Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, dhe shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë shqiptare, të cilët e vlerësuan atë si të suksesshëm.

Gazmend Oketa: “Fillimi i punës në Kombinatin e Poliçanit për demontimin industrial të municioneve të tepërta, i bashkërenduar dhe me atë të Kombinatit të Mjekësit do të bëhet e mundur që plani i veprimit që Ministria e Mbrojtjes ka hartuar për asgjësimin e këtyre municioneve të fillojë të vihet në zbatim në të gjitha pikat e tij.”

Operacioni i shkatërrimit të këtij armatimi u krye nga forcat e asgjësimit të municioneve dhe eksplozivave në ushtrinë shqiptare./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi