Zbardhet pr/ligji për rekrutimin e rezervistëve në Forcat e Armatosura. Sipas draftit të depozituar nga qeveria në Kuvend parashikohet të rekrutohen rreth 2100 forca rezerviste.

Ushtarakut në rezervë, me përfshirjen e tij në strukturat rezerviste të Forcave të Armatosura, i jepet grada ushtarake që ka pasur në momentin e ndërprerjes së shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura.

Nga ky shërbim përfitojnë edhe ata shtetas shqiptarë që nuk janë përfshirë më parë në Forca të Armatosura.

Ministria e Mbrojtjes: Shtetasi shqiptar, që nuk ka shërbyer më parë në shërbimin ushtarak aktiv në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe që plotëson kriteret e pranimit në shërbimin ushtarak në rezervë, titullohet dhe i jepet grada e parë ushtarake.

Kohëzgjatja e shërbimit ushtarak në rezervë është nga 14 deri në 45 ditë në vit.

Ushtaraku në shërbimin rezervist mund t’i kërkohet të shërbejë më shumë se afati i përcaktuar në këtë projektligj në rastet kur: do të aktivizohet për të marrë pjesë në operacione në kuadrin e vendosjes së masave të jashtëzakonshme, do të aktivizohet në operacione apo misione ushtarake ndërkombëtare të drejtuara nga OKB/NATO/BE-ja, në operacione apo misione humanitare ndërkombëtare të drejtuara nga BE-ja apo gjatë emergjencave civile.

Shtetasi, me pranimin në shërbimin ushtarak aktiv, nënshkruan kontratën ku përcaktohet edhe koha e shërbimit ushtarak në rezervë për një periudhë jo më pak se 2 vjet, me të drejtë rinovimi, por pa kaluar kriteret e qëndrimit në shërbimin ushtarak në rezervë.

Tv Klan