Anduena Llabani: “Sot shqiptarët kanë marr në duart e tyre për të përdorur pasaportën e re biometrike, me elementë të lartë të sigurisë, duke garantuar kështu lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptar kudo në botë.”

Rreth 3000 pasaporta te reja biometrike janë të gatshme për t`ju shpërndarë personave që kanë aplikuar për dokumentin më të ri të identifikimit. Sot në orët e para ditës në katër sportelet e hapura pranë drejtorisë së policisë Tiranë, janë paraqitur personat e parë më të interesuar për të shtënë në dorë dokumentin e ri.

Qytetari: “Me thënë të drejtën kjo pasaporta është shumë e domosdoshme sepse është një hap përpara drejt Europës. Do të thotë që Shqipëria është pranë heqjes së vizave. Normalisht ka identitet dhe ka garanci është e cilësisë së lartë.”

Qytetare: “Është shumë e domosdoshme edhe për jetën private kështu, por edhe për sociale në përgjithësi.”

Shefi ekzekutiv i zyrës se prodhimit të pasaportave Jean Alain Jouan, deklaroi se nga 5000 aplikantë të regjistruar, 3000 prej tyre do të mund të pajisen me dokumentin e ri.

Jean Alain Jouan: “Procesi është nen kontroll dhe ka mese nje muaj që kemi nisur punën për Tiranën. Qëllimi ynë ishte që të mos shpejtonim tek pasaportat por të fokusoheshim më pare tek pajisja me kartat e reja të identitetit. Sot ne kemi të regjistruar 5 mijë aplikantë dhe kemi prodhuar 3 mijë pasaporta biometrike. Sot do të shpërndajmë në varësi të qytetareve që do të paraqiten për të tërhequr pasaportat. I kemi kasafortat plot dhe mund të shpërndajmë sa të mundemi, sigurisht jo të gjithë njëkohësisht.”

Pasaporta e re biometrike përmban disa element të lartë të sigurisë duke e bërë thuajse të pamundur falsifikimin e këtij dokumenti. Ata që duan të kenë një dokument të tillë duhet të aplikojnë pranë zyrave të gjendjeve civile, dhe pas dy javësh do të mund të pajisen me një pasaportë të re biometrike./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani