Qendra kombëtare e personalizimit të dokumenteve të identitetit, ALEAT, ka prodhuar kartën e  1 miliontë. E me këtë rast, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, deklaroi se procesi i aplikimit dhe prodhimit të kartave po ecën në mënyrë të suksesshme.

Sipas numrit një të dikasterit të Brendshëm janë më shumë se 1 milion e 150 mijë shtetas, të cilët kanë aplikuar deri më tani, mes të cilëve 460 mijë pa pasaportë, si pasojë e rritjes së kapaciteteve prodhuese të firmës, për t’u dhënë kështu mundësi të gjithë shtetasve që ditën e zgjedhjeve të mos humbasin të drejtën e votës.

Bujar Nishani: “Ky është një procesi cili në tërësi po ecën në mënyrë shumë të suksesshme. Ekzistojnë të gjitha lehtësitë e nevojshme që çdo qytetar i këtij vendi që nuk ka një pasaportë dhe që mund të paraqitet për të aplikuar deri në datën 15 qershor, do të kenë në dorë letërnjoftimin elektronik, për të pasur të gjitha mundësitë për të ushtruar të drejtën e votës ditën e zgjedhjeve. Janë më shume se 1 milion e 150 mijë qytetar që kanë aplikuar për letërnjoftimet elektronik, sot ne kemi të prodhuar letërnjoftimin e 1 miliontë.”

Duke i bërë thirrje të gjithë shtetasve që kanë aplikuar të paraqiten për të tërhequr kartat e identitetit, ministri Nishani hodhi poshtë zërat sipas të cilëve ky sistem lejon falsifikimin e kartave.

Drejtori i Aleat konfirmoi shtimin e kapaciteteve prodhuese të firmës duke  e çuar nga 15 mijë në 22 mijë karta në ditë prodhimin e tyre. Sipas tij është rënë dakord që firma të punojë me tre turne, ndërsa janë ngritur mbi 470 stacione aplikimi në mbarë vendin ku punohet 7 ditë në javë.

Jean Alain Jouan: “Ashtu siç e tha dhe ministri ne kemi vënë në dispozicion kapacitetit akoma më të mëdha nga çfarë ishte e nevojshme dhe këtë e bëmë për tu ardhur në ndihmë të gjithë shtetasve që nuk kanë pasaportë. Deri më tani kemi prodhuar 1 milion karta dhe brenda 10 ditëve kemi regjistruar 1 milion shtetas dhe që nesër këto karta do të jenë në zyrat e gjendjes civile.

Rritja e kapaciteteve të firmës prodhuese dhe vendimi për të lejuar vetëm aplikimin e shtetasve pa pasaportë prej datës 1 qershor e deri në fund të muajit, erdhi pas një marrëveshje mes qeverisë dhe firmës koncesionare./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro