Veliaj: Mund të përfundojë brenda 1 viti
Punimet për nënkalimin e sheshit “Shqiponja” po vazhdojnë me shpejtësi. Kantieri është hapur një muaj më parë, por mungesa e qarkullimit të automjeteve ka bërë që punimet të vazhdojnë me ritëm më të shpejtë, çka mund të realizojë finalizimin e veprës brenda 1 viti dhe jo 2 që parashikohet në kontratën me kompaninë që po ndërton veprën.
Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj e konsideroi kohë të humbur zvarritjen 2-vjeçare të projektit dhe punimeve.
“Në fakt, duke qenë se janë mbushur 2 vjet që kur filloi kjo histori, sot do të vinim për ta inauguruar. Eshtë fatkeqësi e madhe sesi humbasim kohë dhe fillojmë punë atëherë kur duhet ta kishim mbyllur veprën. Ajo që dua të ilustroj me këtë është se, çfarë i bën shqiptari-shqiptarit, nuk ia bën as tërmeti, as virusi. Pra, jemi të këqijtë e vetes.”
Kreu i bashkisë së kryeqytetit tha se po vazhdohet me shpronësimet e shtëpive dhe bizneseve përgjatë aksit, ku ka mbetur një numër shumë i vogël pa u prishur e kompensuar, ndërsa protestat e banorëve në këtë zonë, i konsideroi të nxitura politikisht.
“Do të vazhdojmë të ecim me shpronësimet; kemi shumë pak që na kanë mbetur te ky Lot, disa të tjera te Loti i 2-të. Do të vijojmë me prishjet te Loti i 1-rë. Nuk besoj se është marrosur njeri, që pasi e shikon se çfarë pune po bëhet, të vazhdojë dhe ta përdorë politikisht. Unë them se shumë kauza që janë përdorur politikisht.”
Bashkia dhe Autoriteti Rrugor kanë gati edhe planin e devijimit të trafikut në rastin kur epidemia do të mbarojë dhe qarkullimi i makinave do të vazhdojë normalisht.
Aksi nga Pallati me Shigjeta te rreth-rrotullimi Shqiponja nisi të ndërtohet para 2 vjetësh me qëllim zgjerimin e korsive dhe rikonceptimit të rreth-rrotullimit për të shmangur trafikun, por një skandal me një firmë amerikane që fitoi fillimisht tenderin përmes dokumenteve të falsifikuar, ndryshimit të projektit nga mbikalim në nënkalim dhe një procesi të gjatë tenderimi dhe ankesash të cilat u zgjidhën në shtator të vitit që shkoi nisi punimet nisën në mars të këtij viti.
Tv Klan